Lippi zgjedh ish-rivalin: Do të ishte më i miri për Italinë, por nuk besoj se ka dëshirë

Futboll

Lippi zgjedh ish-rivalin: Do të ishte më i miri për Italinë, por nuk besoj se ka dëshirë

Më: 10 shkurt 2018 Në ora: 08:32
Marcello Lippi

Stoli i Italisë është marrë përkohësisht nga Gigi Di Biagio, ish-trajner i kombëtares Under 21. Ai do të udhëheqë “axurrët” në dy miqësoret e luksit kundër Argjentinës dhe Anglisë. Ndërkohë, zëvendës-presidenti i emëruar i Federatës Italiane të Futbollit, Costacurta, do të kërkojë një trajner të vërtetë për të ardhmen. Emrat që qarkullojnë janë ata të përhershmit (Conte, Mancini, Ranieri dhe Ancelotti). Në lidhje me këtë çështje ka folur edhe Marcello Lippi, i cili ka votuar për rivalin e tij të vjetër, Ancelotti-n.

Trajneri që fitoi Botërorin në 2006-ën ka analizuar të gjithë kandidatët. Conte, një “produkt” i tiji, ka treguar se është një trajner cilësor dhe një kandidat i vlefshëm, ashtu si Ranieri dhe Mancini. Por më i miri do të ishte Ancelotti, i cili duket se nuk ka një dëshirë të madhe për këtë aventurë të re.

“Të gjithë kandidatët janë shumë të mirë për stolin e Italisë. Ka nga ata që e kanë treguar vlerën e tyre, si Conte. Dhe të tjerë, si Mancini, që kanë pranuar se duan të marrin drejtimin e kombëtares, që është një aspekt shumë i rëndësishëm. E njëjta gjë vlen edhe për Ranieri-n. Ancelotti do të ishte zgjedhja e parë për shkak të karrierës, karakterit, eksperiencës dhe sukseseve që ka arritur, por më duket se nuk ka shumë dëshirë. Di Biagio është një alternativë e vlefshme, por duhen rezultate të menjëhershme”, ka thënë Lippi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat