Karabeg: Duhet t’i shfrytëzojmë gabimet e rivalëve

Futboll

Karabeg: Duhet t’i shfrytëzojmë gabimet e rivalëve

Nga: Kemajl Goca Më: 17 mars 2017 Në ora: 11:56
Fuat Karabeg

Llapi nga Podujeva shpreson se do ta fitojnë Kupën e Kosovës. Llapjanët me mund të madh e siguruan biletën për në gjysmëfinalen e Kupës, pasi që pas 120 minutave e mposhtën me rezultat 4:3 Lirinë nga Prizreni, sepse takimi në kohën e rregullt përfundoi baras (3:3). Futbollisti i Llapit, Fuad Karabeg, konsideron se ekipi i tyre është favoritë për të fituar këtë trofe të çmueshëm. Në gjysmëfinale janë kualifikuar: Drenica nga Skenderaj, Besa e Pejës, Trepça nga Mitrovica dhe Llapi. “Mendoj që jemi kualifikuar me plotë meritë. Ndeshja me Lirinë në fillim na u duk shumë e lehtë pas rezultatit 2:0 dhe u vetëkënaqem që na doli pastaj shumë e vështirë. Megjithatë e rikthyem rezultatin, pas një loje të mirë dhe me mund arritëm qëllimin”, tha Karabeg për gazetën kombëtare “Bota sot”.

A mendoni se Llapi është favoritë? “Tani kanë mbetur katër ekipe dhe mendoj që jemi favoritë, duke parë pasqyrën e kampionatit dhe ndeshjeve të luajtura”, përgjigjet futbollisti. Llapjanët janë në vend të katërt me 40 pikë, 11 më pak se lideri Trepça ’89 pas 21 jave. A ka gjasa Llapi ende për titull? “Nuk mund të them që nuk jemi, kur ka ende ndeshje për të luajtur dhe duhet të qëndrojmë afër ekipeve të kreut, të shohim nëse do të gabojnë deri në fund ekipet, pse jo të mos i shfrytëzojmë çdo gabim të tyre”, thotë ai. Sipas tij me pak fat do të kishin edhe më shumë pikë: “Normalisht pozita është edhe e merituar e me pak fat sportiv ndoshta do të ishim edhe me pak pikë më shumë”. Sa jeni të kënaqur me kushte dhe çfarë i premtoni tifozëve “Legjenda”? “Për kushte mund them që gjithmonë ka vend për përmirësime, për shikuesit dhurata më e mirë do të ishte që në fund ta ngremë Kupën së bashku”, thotë futbollisti. Në fundjavë (me 18 mars) Llapi takohet në Skenderaj me Drenicën. “Drenicën e njohim mirë, kanë ekip shumë të mirë. Në Skenderaj nuk do të shkojmë për një pikë, sepse një pikë neve nuk na çon askund. Në ndeshjet e mbetura neve na shërben vetëm trepikëshi”, thotë Karabeg.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat