Tirana “largon” borxhet, Partizani “merr” stadiumin

Futboll

Tirana “largon” borxhet, Partizani “merr” stadiumin

Më: 25 janar 2017 Në ora: 19:46
Tirana “largon” borxhet

Tirana zgjidh ngërçin e borxheve, por hap edhe dyert për Partizanin. Nëse në këtë rast ka vend për një shprehje popullore, atëherë mund të thuhet me siguri se Bashkia e Tiranës “vret dy zogj me një gur” duke vendosur në binarët e duhur problematikën që po shqetësonte prej kohësh dy klubet kryeqytetase. Në një takim të zhvilluar në institucionin kryesor të kryeqytetit, si rrallëherë më parë, presidenti i Tiranës, Refik Halili dhe ai i Partizanit, Gazmend Demi u ulën në një tryezë të përbashkët për t’u dhënë zgjidhje problematikave dhe për të arritur në një marrëveshje që i shërbeu gjithashtu edhe Tiranës për të marrë premtimin e pagesës së borxheve të prapambetura nga Bashkia e Tiranës. Pas rreth një ore bisedime, përfaqësuesit më të lartë të dy klubveve dhe kryetari i Bashkisë, Erjon Veliaj dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp. Fillimisht Veliaj u ndal te arritja e marrëveshjes me presidentin Halili për shlyerjen e të gjitha borxheve të prapambetura që Bashkia i ka klubit deri në vitin 2013.

“Klubet shqiptare vijnë nga një situatë e vështirë. Më në fund mund të them që do të hartojmë një kalendar, për të paguar me këste një pjesë të borxheve të klubit të Tiranës.”

Numri 1 i bashkisë u ndal më tej te zgjidhja që këto bisedime i dhanë çështjes së stadiumit, duke theksuar se Partizani do të rikthehet në kryeqytet sepse palët gjetën gjuhën e përbashkët që “Demat e Kuq” t’i luajnë ndeshjet si pritës në stadiumin “Selman Stermasi”.

“Kemi gjetur akordin me Presidentat që skuadra e Partizanit t’i zhvillojë ndeshjet në “Selman Stërmasi”

Sigurisht që Partizani ende në pritje të shtëpisë së tij të re duhet të paguajë për të luajtur në stadiumin e bardhebluve dhe Veliaj kërkoi mirëkuptimin e tifozëve të Tiranës, ashtu siç kërkoi edhe bashkëpunimin e Federatës Shqiptare të Futbollit për të ndryshuar kalendarin e dy skuadrave që e luajnë çdo javë si skuadra pritëse dhe në formën aktuale, ka përplasje.

“Të gjithë jemi qytetar të Tiranës. Askush nuk duhet të shprehë pakënaqësi për këtë akord xhentellmenash. Të gjithë dalin të fituar nga kjo gjë. I kuptoj edhe tifozët, por gjithçka është në të mirën e klubeve.”

Në përfundim të konferencës për shtyp, presidenti i Partizanit, Gazmend Demi zgjodhi të largohej nga dera e pasme e institucionit duke evituar mediat, ndërsa ai i Tiranës, Refik Halili paralajmëroi një komunikim me mediat për të sqaruar të gjitha problematikat e Tiranës por për sqaruar edhe pozicionin e klubit pas arritjes së marrëveshjes me Partizanin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat