Elbasani me pronarë anglezë

Futboll

Elbasani me pronarë anglezë

Më: 26 gusht 2016 Në ora: 16:15
Armand Duka në mes

Elbasani bëhet “anglez”! Pas takimeve të shumta dhe bisedimeve intensive gjatë këtyre ditëve mes kompanisë angleze që ka shfaqur interes për skuadrën e Elbasanit, si edhe aksionarëve të klubit, mësohet se është arritur edhe një marrëveshje. Burime të besueshme të “Panorama Sport”, pranë Bashkisë së Elbasanit, konfirmojnë se palët kanë rënë parimisht dakord për gjithçka dhe pritet vetëm firmosja e kontratës për ta zyrtarizuar përfundimisht edhe kalimin e Elbasanit në pronësi të kompanisë angleze. Këta të fundit janë të interesuar për të blerë 100% të aksioneve.

Ndërmjetësuese për këtë afrim te skuadra e Elbasanit, ka qenë vetë Federata Shqiptare e Futbollit, e cila ka qenë ura fillestare lidhëse midis palëve. Prej kohësh, aksionarët në klubin e Elbasanit patën bërë të ditur se ishin të gatshëm të hynin në bisedime për të shitur aksionet te një investitor i fuqishëm dhe me sa duket koha ka ardhur që klubi të ndryshojë pronar dhe Elbasani të bëhet i pari klub shqiptar me pronarë të huaj. Pas informacionit të marrë nga burime pranë klubit, gazeta kontaktoi me dy aksionarët e ekipit të futbollit, Qazim Sejdinin dhe Arben Lazen, të cilët konfirmuan se janë në bisedime me kompaninë angleze dhe deri dje pasdite vijonin bisedimet me shpresën se do të zyrtarizohej gjithçka.

Madje, u përfol se përfaqësues të kompanisë angleze do të vinin për një vizitë në kompleksin sportiv “Shefqet Lamçja”, për të parë nga afër edhe ekipin gjatë seancës stërvitore. Ata kanë mbërritur disa minuta, pasi kishte filluar stërvitja, nën shoqërinë e kryebashkiakut Sejdini dhe presidentit Laze, ku kanë parë nga afër terrenin sportiv.

Fjalët e para janë pozitive, ndaj pritet vetëm firma nën kontratë për ta bërë Elbasanin “anglez”. Menjëherë pasi kjo të ndodhë do të nisë edhe organizimi i ekipit për sezonin e ardhshëm futbollistik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat