Zhgënjimi i përzier me zemërimin pas ndeshjes në Bergamo, nevoja për të marrë pikë për të vazhduar të besojnë te kualifikimi direkt në fazën e 1/8-ve, dilemat për formacionin, veçanërisht në mesfushë, për shkak të mungesave të reja dhe të rëndësishme.
Këto ishin temat kryesore të konferencës për shtyp të Kristian Kivusë në prag të sfidës së Champions League kundër Shtutgartit, vetëm 48 orë pas përmbysjes së pësuar ndaj Atalantës, e cila shkaktoi shumë kritika. “Për ne është një tjetër mundësi në Champions League dhe nga kjo duhet të nisemi”, deklaroi trajneri zikaltër përpara gazetarëve në ‘Pinetina’.
“Kjo është ndeshja e pestë. Të gjithë e dimë se cila është situata në renditje në këtë moment. Jemi të vetëdijshëm për ambiciet tona dhe për skuadrën me të cilën do të përballemi nesër(sot), një ekip agresiv, intensiv dhe i fortë. Ne e dimë vlerën tonë dhe duhet të jemi gati të japim maksimumin. Lautaro, Pio Espozito dhe Turam janë të gjithë në dispozicion. Do të shohim nesër (sot) se cilat do të jenë zgjedhjet tona”.
“INTERI NUK MUND TË GJYKOHET PËR 10 MINUTA”
Është e rëndësishme të rifillohet rrugëtimi, pa u përfshirë nga reagime të tepruara dhe të panevojshme. “Interi nuk mund të gjykohet për një pjesë loje që nuk e zhvilloi mirë. Ka bërë mirë gjatë këtyre viteve dhe këtë e tregojnë shifrat. Jemi të vetëdijshëm për atë që nuk funksionoi gjatë 10 minutave në Bergamo, por duhet të bëjmë një analizë të kthjellët, pa harruar gjërat e mira që kemi bërë në atë ndeshje dhe në dy takimet përpara pushimit. Duhet të kemi pak më shumë ekuilibër në analizë, sidomos nga ana jonë. Kemi diskutuar për atë që ndodhi dhe kemi nxjerrë përfundimet tona. Do të përpiqemi të korrigjojmë disa mangësi. Megjithatë, duhet të grumbullojmë energjitë për ndeshjen e nesërme(sotme)”.
Marrja e tri pikëve do të jetë thelbësore për të mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit mes tetë skuadrave të para të Champions-it. “Ne kemi detyrimin të japim versionin tonë më të mirë. Për pjesën tjetër, është e tepërt të flasim për fitore, humbje apo barazime. Jemi të vetëdijshëm për gjithçka të mirë që është bërë gjatë këtyre viteve dhe për punën që ka bërë klubi për të krijuar një Inter të denjë edhe në arenën ndërkombëtare. Kjo është bërë në mënyrën e duhur dhe me shumë rëndësi.
Ne e dimë se cilat gjëra funksionojnë dhe cilat jo. Pjesa negative zë titujt kryesorë dhe tërheq më shumë vëmendje nga ana mediatike, por ne duhet të jemi më të kthjellët për të kuptuar se duhet të korrigjojmë disa gjëra, të cilat na lejojnë të kemi vazhdimësi fillimisht brenda një ndeshjeje, për 95 apo 100 minuta, dhe më pas gjatë gjithë sezonit, nga shtatori deri në maj”.
“DUHET TË MBROJMË SI SKUADËR”
Një nga çështjet e analizuara ka qenë padyshim brishtësia në mbrojtje, e cila ka sjellë një numër tepër të lartë golash të pësuar për ambiciet e një skuadre si Interi. “Mund të analizojmë atë që nuk shkoi dhe këtë e kemi bërë, por gjatë viteve skuadra ka treguar edhe karakter. Përndryshe, nuk do të kishte arritur këto rezultate. Nuk është e drejtë të flasim vetëm për 10 minutat e fundit në Bergamo. Ka pasur disa rënie të përqendrimit dhe djemtë duhet të bëjnë gjithmonë të njëjtin presion, me të njëjtin qëndrim. Në Bergamo, duke folur sërish për atë ndeshje, në shumë momente zhvilluam një fazë të mirë mbrojtëse, por në 10 minutat e fundit mund dhe duhej të kishim bërë më mirë”.
Për përgjegjësitë individuale, të vërteta apo të supozuara, për gabimet e bëra, Kivu nuk pranoi të fliste. “Më pëlqen të flas për kolektivin dhe jo për emra të veçantë. Edhe një presing i bërë keq mund të kthehet në një çështje individuale, por ne kemi detyrimin të mbrohemi si skuadër. Nuk është e drejtë të flasim për një lojtar të vetëm, sepse futbolli është lojë kolektive. Të gjithë duhet të bëjmë gjërat e duhura, me topin apo pa të”. Megjithatë, për formacionin dha dy informacione: “Stounsi është më mirë dhe nesër(sot) do të jetë në dispozicion, ndërsa Zielinski jo”.
MESFUSHA, DILEMA E KIVUSË
Në mungesë të polakut dhe të Çalhanoglusë, organizimi i lojës në mesfushë mbetet një çështje e hapur. “Shqetësimi im si trajner është t’i përcjell siguri skuadrës. Ky është prioriteti im gjatë përgatitjes së ndeshjes. Lojtarët duhet të ndihen rehat për të bërë disa gjëra. Nuk mund dhe nuk duhet të bëjmë improvizime të tilla. Kemi pesë mesfushorë dhe zgjedhjet do t’i shihni nesër(sot)”.
Dëmtimet janë pjesë e futbollit, duke pasur parasysh kalendarin e ngjeshur. Alternativat ekzistojnë, por nga disa drejtime është ngritur edhe nevoja për ndërhyrje në merkaton e janarit, sidomos në repartin e mbrojtjes. “Kemi nga dy lojtarë për çdo pozicion dhe madje edhe një mesfushor më shumë. Për mua, në këtë moment, skuadra është konkurruese. Nuk mund të bëj supozime për merkaton, sepse nuk do të ishte e drejtë ndaj lojtarëve të mi, të cilët i konsideroj më të mirët në botë. Është e kotë të flasim për situata apo gjëra që mund të ndodhin në të ardhmen.
Nuk kërkojmë justifikime te kalendari apo te fakti që duhet të luajmë çdo 72 orë. Skuadra është mësuar të bëjë një punë të tillë dhe preferon të luajë më shumë sesa të stërvitet. Lojtarët janë të fortë, të zotë dhe gjatë viteve të fundit kanë fituar të drejtën për të qenë në skena të rëndësishme. Nuk ankohemi, pranojmë atë që kemi dhe jemi të vetëdijshëm se duhet të japim gjithmonë versionin tonë më të mirë”, përfundoi Kivu.