Reali pritet që ta finalizojë transferimit e yllit të Unitedit brenda dy javësh

Futboll

Reali pritet që ta finalizojë transferimit e yllit të Unitedit brenda dy javësh

Më: 8 nëntor 2026 Në ora: 19:19
Talenti i Manchester Unitedit, JJ Gabriel

Real Madridi është gjithnjë e më afër finalizimit të marrëveshjes për transferimin e një prej talenteve më emocionues të futbollit evropian.

Talenti i Manchester Unitedit, JJ Gabriel, është pranë transferimit te Los Blancos, me marrëveshjen që tashmë ka hyrë në fazën përfundimtare.

Sipas Jorge C. Picon, rrethi i 16-vjeçarit pret që transferimi i tij te Real Madridi të finalizohet javën e ardhshme ose atë pas saj.

Gabriel ka kohë që po kërkon një klub të ri dhe duket se madrilenët kanë fituar garën për shërbimet e tij.

United thuhet se ka zhvilluar disa takime me Gabrielin dhe përfaqësuesit e tij, në përpjekje për ta bindur që të qëndrojë në klub.

Si drejtuesit e klubit, ashtu edhe trajneri Michael Carrick, kanë bërë përpjekjet maksimale për ta bindur talentin e ri, por pa sukses.

16-vjeçari thuhet se është i vendosur t’i bashkohet Real Madridit dhe të realizojë ëndrrën e tij afatgjatë.

Gabriel kërkoi largimin nga United në shtator dhe që atëherë është duke u stërvitur individualisht në Spanjë, ndërsa vazhdojnë diskutimet për të ardhmen e tij.

Interesant është fakti se një prej faktorëve që favorizojnë Real Madridin është mundësia për t’i ofruar Gabrielit menjëherë kontratën e tij të parë profesionale.

Sipas rregulloreve në Angli, talenti i ri do të duhej të priste deri në tetor të vitit 2027, kur mbush 17 vjeç, për të nënshkruar një kontratë profesionale me Unitedin.

Ndërkohë, sipas rregulloreve në Spanjë, Real Madridi mund t’i ofrojë një marrëveshje të tillë që në moshën 16-vjeçare, me kusht që të sigurohen miratimet e nevojshme për transferimin ndërkombëtar.

“Los Blancos” tashmë kanë arritur një marrëveshje verbale me talentin anglez, pasi në garën për nënshkrimin e tij kanë lënë pas Barcelonën, PSG-në dhe Bayern Munichun.

I konsideruar gjerësisht si talenti më i madh anglez i momentit, reputacioni i Gabrielit është rritur ndjeshëm gjatë muajve të fundit.

Ai ka zhvilluar disa paraqitje të jashtëzakonshme për akademinë e Manchester Unitedit, përfshirë edhe një het-trik kundër Sabahut në UEFA Youth League në fillim të këtij sezoni.

Megjithatë, transferimi nuk është aspak i lehtë për Real Madridin, pasi klubi madrilen duhet t’i zgjidhë ende detajet e marrëveshjes me Manchester Unitedin.

Nëse arrin ta sigurojë nënshkrimin e tij përpara konkurrencës, ky do të ishte një sukses i madh për klubin spanjoll, i cili do të siguronte edhe një tjetër talent premtues për të ardhmen.

Nëse Gabrieli vazhdon të zhvillohet me të njëjtin ritëm, nuk do të kalojë shumë kohë para se të trokasë në dyert e ekipit të parë në kryeqytetin spanjoll. Mbetet të shihet se si do të zhvillohet karriera e tij në vitet e ardhshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat