Futbollisti Ardon Jashari mbrëmë nuk pati paraqitjen më të mirë, por as skuadra e Milanit nuk ishte në nivelin e duhur në përballjen me Ferencvaroshin.
Skuadra hungareze triumfoi në “San Siro” me rezultat 2:0 ndaj Milanit, në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Evropës.
Pas një sezoni shumë të mirë me Club Brugge, Ardon Jashari u transferua në verën e vitit 2025 te Milani për një shumë prej më shumë se 30 milionë frangash zvicerane.
“Te “Rossonerët”, zvicerani, tashmë 24-vjeçar, pritej të përfitonte nga përvoja dhe klasi i madh i futbollistëve si Luka Modriç dhe Adrien Rabiot, në mënyrë që gradualisht të merrte një rol kyç në mesfushën qendrore.
Megjithatë, shifrat flasin qartë: Milani dhe Jashari, të paktën deri më tani, nuk po arrijnë të gjejnë gjuhën e përbashkët. Edhe fillimi i aventurës në Itali ishte i vështirë për futbollistin që për shumë vite luajti te FC Luzerni.
Një frakturë e fibulës në gusht të vitit 2025 e detyroi Jasharin të qëndronte jashtë fushave për më shumë se dy muaj.
Që nga rikthimi, Jashari po përpiqet të sigurojë një vend në formacionin bazë të Milanit, por deri më tani pa sukses. Reprezentuesi zviceran ka marrë vazhdimisht mundësi për të dëshmuar veten nga minuta e parë, si nën drejtimin e Massimiliano Allegrit, ashtu edhe të pasardhësit të tij në pankinë, Ruben Amorim. Megjithatë, sa u përket rezultateve, skuadra ka ecur më keq kur Jashari ka qenë titullar", shkruan mediumi zviceran “SRF”.
Të enjten, Milani pësoi humbjen 0:2 në shtëpi nga Ferencvaroshi në Ligën e Evropës, duke regjistruar disfatën e tretë në katër ndeshje të këtij kompeticioni. Në të gjitha ndeshjet evropiane, Jashari ishte në formacionin titullar. Kundër hungarezëve, Amorim e zëvendësoi zviceranin pas pak më shumë se një ore lojë, kur Milani ishte në disavantazh 0:1.
Në të gjitha garat, Milani ka regjistruar katër humbje në 14 ndeshjet zyrtare të zhvilluara gjatë këtij sezoni. Në të katër disfatat, Jashari ishte pjesë e formacionit titullar.
Megjithatë, ka edhe një anë pozitive: në tri ndeshjet e tjera, në të cilat reprezentuesi zviceran, me 15 paraqitje për kombëtaren e tij, ishte në fushë nga minuta e parë, Milani regjistroi po aq fitore.
Shtohet presioni nga jashtë
Trajneri Amorim kritikoi ashpër veten dhe skuadrën e tij pas humbjes 0:2 ndaj Ferencvaroshit, por pa drejtuar gishtin nga ndonjë futbollist i veçantë.
“Duhet të përmirësohemi, përndryshe gjithçka merr fund”, deklaroi trajneri portugez, duke iu referuar mundësisë së Milanit për të vazhduar garën në Ligën e Evropës.
Amorim nuk u përpoq ta fshihte zhgënjimin e tij dhe gjatë konferencës për media iu drejtua drejtpërdrejt gazetarëve.
“Unë thjesht them atë që shoh, sepse ju nuk jeni budallenj. Nuk mund dhe nuk dua të mashtroj askënd këtu”, u shpreh Amorim.
Edhe pse kritikat e trajnerit nuk ishin të drejtuara vetëm ndaj Jasharit, është e sigurt se as futbollisti zviceran nuk përjashtohet prej tyre.
Në mediat italiane dhe në mesin e tifozëve të Milanit po shtohen dyshimet nëse Jashari do të arrijë të shpërthejë te “Rossonerët”.
Tashmë i takon futbollistit nga Luzerni ta përmbysë situatën dhe t'ua mbyllë gojën kritikëve.