Për Florent Hajdinin, dy ditët e fundit kanë qenë një udhëtim emocional me shumë luhatje.
Futbollisti 20-vjeçar fillimisht ishte në listën rezervë të Kombëtares U21 të Austrisë për grumbullimin e muajit nëntor.
Por, më pak se 48 orë më vonë, Hajdini ndryshoi vendimin e tij.
“Për mua kjo ishte një çështje e zemrës. Dy ditët e fundit kanë qenë absolutisht të jashtëzakonshme”, deklaroi
Hajdini në një intervistë për “Sky Austria”, duke konfirmuar se në fund kishte vendosur të përfaqësonte vendin e origjinës së prindërve të tij – Kosovën.
Një ndikim të rëndësishëm në vendimin e tij pati edhe një bisedë e gjatë telefonike me përzgjedhësin e Kosovës U21, Hekuran Kryeziu.
Megjithatë, që ky ndryshim i shpejtë të bëhej i mundur, Hajdini ia atribuon meritat trajnerit të SKU Amstetten, Andreas Gahleitner.
Hajdini: Trajneri e kuptoi dëshirën time
“Trajneri e kuptoi dëshirën time për të luajtur për Kosovën. Për këtë i jam shumë mirënjohës.
Natyrisht, jam mirënjohës edhe ndaj Federatës Austriake të Futbollit (OFB). Kam luajtur për Austrinë nga U16 deri në U19.
Në fund të fundit, ky nuk ishte një vendim kundër Austrisë, por një vendim në favor të Kosovës”, tha Hajdini.
Ai kaloi nëpër Akademinë Red Bull dhe Wolfsberger AC, ndërsa gjatë verës iu bashkua skuadrës Amstetten, ku ka gjetur një ambient të ri sportiv.
I pyetur nëse synimi i tij i ardhshëm është të depërtojë në Kombëtaren A të Kosovës, Hajdini u përgjigj me maturi:
“Natyrisht, ky është një synim i madh. Secili dëshiron të arrijë në nivelin më të lartë, si me klubin, ashtu edhe me kombëtaren. Jam i ri dhe kam shumë uri për sukses, por dua t'i marr gjërat hap pas hapi.
Te Amstetten kam një ambient të shkëlqyer, ku mund të përmirësohem nga një stërvitje në tjetrën. Te Kosova shoh një zhvillim shumë të mirë dhe dëshiroj të jap edhe unë kontributin tim.”
Një tjetër futbollist nga Austria drejt Kosovës
Florent Hajdini mund të bëhet futbollisti i radhës që kalon nga futbolli austriak për të përfaqësuar Kombëtaren e Kosovës.
Para tij, këtë rrugë e kanë ndjekur Atdhe Nuhiu, Vesel Demaku dhe Dardan Shabanhaxhaj.
Ky i fundit ishte futbollisti më i fundit që ndërroi kombëtaren nga Austria në Kosovë.
Kosova është anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s që nga viti 2016.