Është identifikuar tifozi që tentoi të sulmonte Eduardo Camavingan dhe futbollistë të tjerë të Real Madridit gjatë festimit të golit të dytë në “El Clasico”.
Personi në fjalë është denoncuar nga policia katalanase, ndërsa rrezikon një gjobë deri në 60 mijë euro.
Sipas “Marca”-s, Mossos d'Esquadra kanë nisur procedurat administrative ndaj tifozit, në bazë të Ligjit të Sportit. Edhe LaLiga e ka denoncuar incidentin pranë Komitetit të Disiplinës së Federatës Spanjolle të Futbollit.
Nëse shkelja klasifikohet si e rëndë, gjoba mund të variojë nga 3 mijë deri në 60 mijë euro. Duke qenë se incidenti nuk shkaktoi dëme, kjo konsiderohet masa më e mundshme. Në rast se vepra cilësohet shumë e rëndë, ndëshkimi financiar mund të arrijë nga 60.001 deri në 650 mijë euro.
Përveç gjobës, tifozi rrezikon edhe ndalimin e hyrjes në stadiume. Për shkeljet e rënda, ky ndalim mund të zgjasë nga gjashtë muaj deri në dy vjet, ndërsa për ato shumë të rënda mund të shkojë nga dy deri në pesë vjet.
Në identifikimin e tifozit kanë bashkëpunuar edhe shërbimet e sigurisë së Barcelonës.
Sipas raportimit, personi i përket një prej grupeve të tifozëve të organizuar të “Grada 1957”.
Klubi katalanas pritet ta kalojë çështjen në Komisionin e Disiplinës për të vendosur masat përkatëse. Incidenti ndodhi gjatë festimit të golit të dytë të Real Madridit, kur pati hedhje objektesh dhe një tentativë për të goditur Camavingan dhe lojtarë të tjerë madrilenë.