Mosmarrëveshja ligjore mes Juventusit dhe Cristiano Ronaldos për pagat e papaguara po merr një zhvillim të ri.
Klubi nga Torino ka njoftuar se ka paraqitur ankesë në Gjykatën e Lartë të Kasacionit të Italisë, pasi dy instancat e mëparshme gjyqësore kanë vendosur në favor të futbollistit portugez.
Mosmarrëveshja lidhet me marrëveshjet e arritura gjatë pandemisë. Në prill të vitit 2024, një vendim arbitrazhi i njohu Ronaldos të drejtën për të marrë 9,8 milionë euro, plus interesat. Ky vendim u konfirmua edhe nga Gjykata e Punës në Torino.
Çështja e ka zanafillën në periudhën e pandemisë, kur drejtuesit e Juventusit arritën marrëveshje me lojtarët për shtyrjen e pagesës së një pjese të pagave.
Në vitin 2021, me Ronaldon u nënshkrua një dokument i njohur si “Dokumenti i Ronaldos”, përmes të cilit i garantohej pagesa e mëvonshme e 19,5 milionë eurove bruto. Kjo shumë nuk u regjistrua asnjëherë në bilancin financiar të klubit.
Dokumenti u përmend edhe gjatë hetimeve të njohura si “Prisma”, të cilat përfshinë drejtuesit e atëhershëm të klubit dhe çuan në dorëheqjen e presidentit Andrea Agnelli dhe të gjithë bordit drejtues.
Nga bisedat e përgjuara mes drejtorit të atëhershëm sportiv, Federico Cherubini, dhe drejtuesit të shërbimit juridik, Cesare Gabasio, u zbulua se kjo marrëveshje me shkrim, sipas tyre, “në teori nuk duhej të ekzistonte”.
Paratë nuk u paguan përfundimisht, pasi Ronaldo u transferua te Manchester United në verën e vitit 2021.
Pasi hetuesit e gjetën dokumentin e diskutueshëm në mars të vitit 2022, Cristiano Ronaldo e paditi Juventusin në shtator të vitit 2023.
Palët ranë dakord që çështja të zgjidhej përmes arbitrazhit, pasi dokumenti nuk mbante nënshkrimin e Ronaldos.
Më 17 prill 2024, trupi i arbitrazhit vendosi, me shumicë votash, se Juventusi duhej t’i paguante futbollistit gjysmën e shumës së kërkuar.
Arbitrat arritën në përfundimin se klubi nuk kishte pasur qëllim ta mashtronte lojtarin. Megjithatë, ata theksuan se as Ronaldo nuk kishte kërkuar aktivisht pagesën në momentin e largimit të tij nga Italia.
Juventusi e kundërshtoi vendimin, por në janar të këtij viti Gjykata e Torinos e refuzoi ankesën e klubit.
Tani, Juventusi e ka dërguar çështjen në instancën më të lartë gjyqësore të Italisë.
Cristiano Ronaldo luajti për Juventusin nga viti 2018 deri në vitin 2021. Gjatë kësaj periudhe, ai fitoi dy tituj kampionë të Italisë.
Në 134 ndeshje me fanellën e klubit torinez, portugezi shënoi 101 gola dhe regjistroi 28 asistime.