Selektori i Skocisë nga Shkupi: Presion? Jo 

Futboll

Selektori i Skocisë nga Shkupi: Presion? Jo 

Nga: K.G. Më: 2 tetor 2026 Në ora: 23:03
Sebastien Pocognoli

Selektori i Skocisë, Sebastien Pocognoli, është optimist se kombëtarja e tij mund ta regjistrojë nesër fitoren e parë nën drejtimin e tij, në ndeshjen si mysafire ndaj Maqedonisë së Veriut, në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup.

Skocia ka grumbulluar vetëm një pikë dhe nuk ka shënuar gol në dy ndeshjet e para të Ligës B të Kombeve nën drejtimin e selektorit të sapoemëruar. Fillimisht barazoi 0:0 në Slloveni, ndërsa të martën humbi 3:0 në shtëpi ndaj Zvicrës.

I pyetur nëse ndien presion, Pocognoli tha në konferencën për shtyp në Shkup:

“Presion? Jo, sepse ndiejmë vetëm sfidën për të qenë më të mirë nga ndeshja në ndeshje. Duhet të ecim hap pas hapi.

Sigurisht, duam që ky grumbullim të jetë vërtet pozitiv në fushë.

Sa i përket ngjitjes në Ligën A, kjo është një objektiv për ne, por mendoj se është e rëndësishme që lojtarët ta marrin fitoren e parë, në mënyrë që gjithçka të marrë kuptim. Fitorja të jep liri në fushë për të marrë vendime dhe e përshpejton procesin.

Nëse do t’i kishim marrë tri pikët në Slloveni, gjë që mendoj se e merituam, ndoshta do të flisnim ndryshe”.

Pocognoli la të kuptohet se nuk do të bëjë shumë ndryshime në formacion të shtunën, pasi kartoni i kuq i hershëm i Jack Hendry e privoi nga mundësia për ta analizuar siç duhet formacionin fillestar që luajti kundër Zvicrës.

“Shpresoj që nesër të mund të tregojmë atë që kemi ushtruar gjatë ditëve të fundit të përgatitjeve, atë që treguam gjatë 60 minutave në Slloveni, dhe thjesht të përpiqemi të arrijmë fitoren e parë. Do të ketë disa ndryshime, por jo shumë.

Ndoshta para përgatitjeve ishte planifikuar të kishte më shumë ndryshime, sepse donim të zhvillonim një ndeshje të mirë bazuar në atë që përgatitëm për dy ndeshjet e para dhe të merrnim konfirmimin e duhur”, tha selektori i Skocisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat