Maqedonia e Veriut ka zhvilluar grumbullimin e parë dhe stërvitjen e parë në kuadër të ciklit të ri të Ligës së Kombeve.
Në Ligën B, Maqedoninë e Veriut e presin katër ndeshje ndaj Zvicrës, Sllovenisë dhe Skocisë.
Në grumbullimit e fundit iu bashkuan edhe Stole Dimitrievski, Ezgjan Alioski, Elmin Rastoder dhe Hristijan Maleski. Ndërkohë, Darko Çurlinov nuk do të mund të luajë në ndeshjet e ardhshme për shkak të problemeve administrative që lidhen me qëndrimin e tij në Poloni.
Sfida e parë për skuadrën e drejtuar nga Goce Sedlloski do të jetë ndaj Zvicrës, më 26 shtator (20.45) në Shkup, ndërsa më pas janë programuar ndeshjet ndaj Sllovenisë, Zvicrës dhe Skocisë.
Mesfushori Agon Elezi, i cili po kalon një formë të mirë te Sarajeva, thotë se e gjithë vëmendja e ekipit është te ndeshja me Zvicrën.
“Fillimisht, është një kënaqësi dhe privilegj i madh të jesh sërish pjesë e kësaj kombëtareje dhe e këtij grupi fantastik.
Është e vërtetë se na presin katër ndeshje shumë të vështira, por për momentin për ne ekziston vetëm një ndeshje – ajo e së shtunës kundër Zvicrës”, tha Elezi.
Elezi vlerëson cilësinë e kundërshtarit, por thekson se Maqedonia duhet të fokusohet te vetja:
“Të gjithë i dimë cilësitë e Zvicrës dhe ne duhet të përqendrohemi vetëm te vetja, të mos bëjmë gabime, sepse çdo gabim yni mund të na kushtojë shumë.”
Ai shtoi se Zvicra ka treguar nivel të lartë në Botëror dhe se ka lojtarë me shumë cilësi, por beson se Maqedonia mund të arrijë rezultat pozitiv:
“Ne duhet të fokusohemi te vetja dhe të kemi besim se mund të arrijmë një rezultat pozitiv. Kështu do të hyjmë në ndeshje.”
Elezi foli edhe për punën me stafin e ri teknik dhe lojtarët e rinj:
“Më e rëndësishmja ishte të krijonim një atmosferë të mirë mes nesh, mes lojtarëve, dhe kjo u dëshmua.
Të gjithë jemi në një atmosferë të mirë, kemi kohezion të mirë dhe tani duhet vetëm ta transferojmë këtë në fushë, duke filluar nga e shtuna”..