Prapaskenat te Tirana, si dështoi shitja e aksioneve! Ja çfarë ndodh nëse s’ka interes as në raundin e dytë

Futboll

Prapaskenat te Tirana, si dështoi shitja e aksioneve! Ja çfarë ndodh nëse s’ka interes as në raundin e dytë

Më: 23 prill 2024 Në ora: 08:45
Foto ilustrim

Tymi i bardhë mungoi. Blerës nuk pati për ak sionet e KF Tiranës që kishin dalë në shitje. Aksionet e klubit të Tiranës janë nxjerrë deri dje në shitje nga një kompani përmbarimi, e cila kishte bllokuar kuotat në pronësi të Halili “shpk” dhe indirekt të Refik Halilit, duke provuar të shesë 66% që zotëron ai.

Ashtu siç ishte lajmëruar nga kompania përmbarimore, ankandi është mbyllur dje pasdite. “Panorama Sport” mëson se ankandi i djeshëm është mbyllur pa oferta zyrtare për blerjen e këtyre aksioneve për rreth 1.6 milionë euro.

Ka qenë vetë përmbaruesi Baftjar Nela që ka konfirmuar mbylljen pa sukses të ankandit. “Sot(dje) në orën 16:00 u mbyll ankandi i fazës së parë për shitjen e aksioneve. Në zyrën përmbarimore u paraqitën përfaqësues të palëve të interesit, saktësisht Darling Preza dhe Refik Halili. Pas përfundimit të orarit zyrtar u mbaj dhe procesverbali i fazës së parë, dhe tashmë do të kalohet në fazën e dytë, që do të shpallet dhe në QKB. Brenda 5 ditëve do të ketë një njoftim me shkrim drejt palëve. Më pas sipas Kodit të Procedurës Civile do të nisë faza e dytë, sipas dhe do të bëhet rivlerësimi i aksionarëve, të cilët mund të kenë një zbritje deri në 30% të vlerës pa kamatëvonesë.

Përqindja përcaktohet nga ligji. Në qoftë se edhe në ankandin e dytë nuk paraqiten ofertues, përmbaruesi gjyqësor i propozon kreditorit që kundrejt kredisë të marrë sendin me çmimin e caktuar në ankandin e ri dhe, kur ky nuk e pranon, sendi i kthehet debitorit”, ka sqaruar zoti Nela. Përmbaruesi sqaroi më poshtë edhe situatën në vazhdim. “Palët ishin të pranishme në ankand. Kreditorët dhe debitori. Firmosën procesverbalin. U lexua me zë të lartë dhe e firmosën. Nga ky moment, brenda 10 ditëve, në bazë të Kodit të Procedurës Civile, do të çojmë një shkresë që brenda 5 ditëve të ekzekutojmë detyrimet. Mund të ulen vlerat e aksioneve deri në 30%. Pas fazës së parë të ankandit të parë. Kodi parashikon se nëse nuk ka ofertues edhe në ankandin e dytë, do t’i propozojmë në fillim kreditorit në vlerën e ankandit të dytë. Nëse kreditori nuk e pranon, hiqet sekuestro dhe vazhdohet me pasuritë e tjera”, mbylli përmbaruesi.

Prapaskenat – Interesimi për KF Tiranën nuk ka munguar, pasi një individ ka shfaqur interes që të mësonte për kushtet e shitjes dhe transferimit të kuotës së kontrolluese të pronësisë të klubit Tirana, por pa depozituar 10% e ankandit dhe plotësimin e dokumentacionit. Me mbylljen e afatit të këtij ankandi, nuk ka mbërritur asnjë dokumentacion për ofertë zyrtare për blerjen e tij.

Ankandi i dytë – Gazeta ka mësuar se do të nisin proceduarat për një tjetër ankand për shitjen e këtyre aksioneve të klubit bardheblu. Këtë herë, vlera e hapjes së ankandit parashikohet të jetë 30% më e ulët se ajo fillestare që ishte vendosur në ankandin e parë. Në këtë mënyrë, pritet që të shihet nëse do të ketë interesim më të madh dhe oferta konkrete për shitjen e kuotës së 66% të aksioneve të klubit bardheblu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat