Partizani rigjen suksesin, mposht Dinamon në derbi, Vllaznia “harron” si fitohet

Futboll

Partizani rigjen suksesin, mposht Dinamon në derbi, Vllaznia “harron” si fitohet

Më: 20 prill 2024 Në ora: 20:46
Partizani

Partizani rigjen suksesin, mposht Dinamon në derbi, Vllaznia "harron" si fitohet

Partizani rikthehet te fitorja pas katër javësh, me skuadrën e Orges Shehit që triumfoi 2-0 në derbin e kryeqytetit ndaj Dinamos në sfidën e vlefshme për javën 32-të të Kategorisë Superiore.

Një takim shumë i rëndësishëm për të dyja skuadrat, që në këtë pjesë të sezonit luajnë për të siguruar “Final 4”, me Dinamon që jo vetëm doli pa pikë nga “Arena e Demave”, por edhe zbriti nga vendi katërt. Takimi nisi me vendasit më kërkues, me Partizanin që kërkoi golin, ndërsa avantazhin e krijoj në minutën e 30-të me anë të Bintsouka.

Shtatë minuta më pas, “të kuqtë” i shkuan përsëri pranë golit, ndërsa në minutën e 40-të, kryesori Bajramaj sinjalizoi penallti për dinamovitët pas ndërhyrjes së gabuar të Behiratches ndaj Taipit. Te pika e bardhë e penalltisë u prezantua Denisson, por braziliani gaboi duke shpërdoruar mundësin e artë dhe pjesa e parë u mbyll me pritjen e Qirkos dhe avantazhin e të kuqve.

Fraksioni i dytë nisi keq për Dinamon, kjo pasi Goudiaby u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 47-të duke lënë skuadrën e Mehmetit me dhjetë lojtarë.

Partizani shfrytëzoi në maksimum superioritetin numerik, teksa në minutën e 70-të Albers Keko shënoi golin e dytë dhe të qetësisë për “të kuqtë”, që më pas mirë-administruan gjithçka.

Pas këtij suksesi Partizani ngjitet në kuotën e 51 pikëve në vendin e tretë, ndërsa Dinamo zbret nga vendi i katërt pas kësaj jave, duke u pozicionuar si forcë e pestë me pikë të barabarta me Tiranën.

E pesta ndeshje radhazi pa fitore për Vllazninë, që nuk shkoi dot përtej barazimit pa gola në transfertën ndaj Teutës.

Një pikë për shkodranët që mbajnë vendin e dytë, por edhe për durrsakët, që vijojnë betejën e gjatë për të siguruar mbijetesën në elitë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat