Pioli: Periudhë vendimtare për Milanin

Futboll

Pioli: Periudhë vendimtare për Milanin

Më: 5 prill 2024 Në ora: 19:35
Pioli e Leao

Milani hyn në një fazë vendimtare të sezonit, ku krahas mbrojtjes së vendit të dytë do të synojë edhe triumfin në Europa League, teksa të shtunën do të sfidojë Leccen në “San Siro”.

Trajneri Stefano Pioli ka dalë në konferencën e zakonshme për shtyp, ku vlerësoi jo pak përballjen e të shtunës, teksa  tha se bazohet pikërisht te forma e shkëlqyer e Rafael Leaos në një moment kaq të rëndësishëm.

“Jemi në një moment vendimtar të sezonit dhe pas një marsi thuajse perfekt, duam të vazhdojmë me këtë ecuri deri në fund. Për fat të mirë kemi një Leao në formë të shkëlqyer dhe e dimë se mund të na ndihmojë shumë. Ndaj Lecces nuk do të grumbullohet Thiaw, që shpresojmë ta kemi gati për të enjten ndaj Romës. Mungon gjithashtu edhe Loftus Cheek, por në vendin e tij mendoj se mund të luajë edhe Bennacer”, u shpreh Pioli.

Tekniku kuqezi vlerësoi maksimalisht Leccen, duke theksuar se bëhet fjalë për një skuadër të ekuilibruar dhe me lojtarë të shpejtë në sulm.

“Lecce ka gjetur ekuilibrat dhe mund të na vërë në vështirësi. I kam paralajmëruar futbollistët e mi të bëjnë kujdes. Na pret një sprint i fortë dhe vetëm me angazhimin maksimal mund t’ia dalim të arrijmë rezultatet që duam”, theksoi tekniku i Milanit.

Kuqezinjtë do të përballen me Leccen të shtunën në orën 15:00, teksa më pas do të nisin të mendojnë për sfidën e parë çerekfinale të Europa Leagues, atë ndaj Romës të enjten në mbrëmje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat