Krepi: Kam bindje që skuadra do të bëjë performancë të mirë ndaj Qipros

Futboll

Krepi: Kam bindje që skuadra do të bëjë performancë të mirë ndaj Qipros

Më: 2 prill 2024 Në ora: 18:02
Pamje nga stërvitja

Kombëtarja U-19 për vajza mbylli sot përgatitjet për ndeshjen e parë ndaj Qipros, e vlefshme për raundin e dytë të Kampionatit Europian 2024. Skuadra e drejtuar nga trajneri Kreshnik Krepi zhvilloi seancën e fundit stërvitore pasditen e kësaj të marte. Për rreth një orë, skuadra zbriti në fushë, teksa fokusi kryesor ishte te skemat e ndryshme taktike, me qëllim përmirësimin e fazës ofensive si dhe goditjet standarde.

Në një prononcim për fshf.org, tekniku i vajzave kuqezi foli për përgatitjet e skuadrës gjatë këtyre ditëve, ndërsa tregoi edhe objektivat që ka Shqipëria e tij në këto sfida.

“Gjendja e skuadrës duket optimale, kanë disa oshilacione nga ana fizike, por jemi munduar që me seancat stërvitore që kemi bërë gjatë këtyre ditëve, të perfeksionohemi nga ana taktike. Qipro? – Duhet vlerësuar, pavarësisht se jemi përballur shume herë me të.

Në të gjitha ndeshjet ndaj Qipros kemi marrë rezultate pozitive, por nuk duhet të vetëkënaqemi. Jemi një skuadër në rinovim e sipër.

Kam bindjen e plotë dhe vetëbesim që skuadra do të bëjë një performancë shumë të mirë”, – tha trajneri Krepi, i cili nënvizoi se skuadra duhet t’i marrë ndeshjet me radhë dhe të marrë maksimumin e pikëve në dy takimet e para.

“T’i marrim ndeshjet 1 nga 1 dhe të mundohemi të bëjmë pikët maksimale, të vlerësojmë si Qipron, si Lihtenshejnin dhe të marrim maksimumin e pikëve në këto dy ndeshje të para. Të gjithë kundërshtarët kanë vlerën e vet, por Skocia dihet që është kokë grupi dhe duam të shkojmë në këtë ndeshje me pikë të plota” – përfundoi trajneri Kreshnik Krepi.

Shqipëria U-19 luan pasditen e nesërme ndeshjen e parë ndaj Qipros, në ora 15:30 në stadiumin “Elbasan Arena”. Po nesër, Skocia do të zhvillojë ndeshjen e parë ndaj Lihtenshejnit në ora 11:30 në “Shtëpinë e Futbollit”.

Ndeshjet e dyta të grupit B6 do të zhvillohen më 6 prill. Shqipëria do të përballet me Lihtenshtejnin në stadiumin “Elbasan Arena” në ora 15:30, teksa Skocia do të luajë kundër Qipros në “Shtëpinë e Futbollit” në ora 11:30.

Takimet e treta dhe të fundit të grupit B6 do të luhen më 9 prill. Vajzat kuqezi do të luajnë ndaj bashkëmoshatareve skoceze në stadiumin “Elbasan Arena” në ora 15:30, ndërsa në po të njëjtën orë do të luhet edhe sfida Lihtenshejn – Qipro në “Shtëpinë e Futbollit”.

Organizimi i këtij mini-turneu i është besuar sërish FSHF-së, i katërti turne europian që zhvillohet në Shqipëri që prej fillimit të këtij viti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat