Rashkaj: Hungaria test real, Foda të përmirësojë këtë aspekt

Futboll

Rashkaj: Hungaria test real, Foda të përmirësojë këtë aspekt

Më: 26 mars 2024 Në ora: 18:40
Anel Rashkaj

Anel Rashkaj foli rreth situatës së Kosovës në një lidhje direkte me emisionin “Dardanët” në SuperSport 3. Ish-kapiteni komentoi trajnerin e ri dhe ndryshimet që u panë te Kosova te miqësorja e fituar ndaj Armenisë.

Sot është një test më i vështirë, përballë Hungarisë në “Puska Arena”. Duel të cilin Rashkaj e cilëson si prova e vërtetë për skuadrën e drejtuar nga Franco Foda.

“Kemi qenë në situatë të vështirë kohët e fundit. Është herët për të thënë diçka më shumë rreth lojës tonë, por jemi optimistë për trajnerin e ri. Ka përvojë, ai ka drejtuar edhe Austrinë më parë.

Sfida me Armeninë? Kishte aspekte pozitive në lojën tonë, edhe pse është herët për të folur. Trajneri nuk ka pasur shumë kohë, por kemi parë disa lëvizje pozitive taktikisht.

Sonte do të jetë testi i madh, sepse Hungaria është shumë e fortë. Duhet të kemi pak durim me trajnerin e ri, është ende në hapat e parë. Kemi parë gjëra pozitive, ndërkohë që sonte na pret një ndeshje e vështirë.

Kundër Armenisë nuk i shfrytëzuam hapësira në mënyrën më të mirë. Hungaria është Kombëtare e fortë, kanë kualitet, nuk duhet t’u dhurojmë hapësirat që i lamë Armenisë.

Në futbollin modern loja nuk mund të bazohet tek një individ, duhet të funksionojë ekipi në të dy fazat e lojës. Kosova ka lojtarë të mirë dhe të kualitetit të lartë në aspektin individual. Në aspektin e skuadrës kemi pasur probleme në aspektin taktik, ky është problemi ynë.

Kualitete kemi, por duhet të funksionojë grupi. Ekipi të tregojë zemrën dhe të shfaqet si ekip i vërtetë nëse duam të kualifikohemi në kompeticione si Botërori apo Europiani”, u shpreh ish-kapiteni i dardanëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat