Gareka debuton kundër Shqipërisë

Futboll

Gareka debuton kundër Shqipërisë

Më: 19 mars 2024 Në ora: 14:49
Rikardo Gareka

Me ndeshjen kundër Shqipërisë, më 22 mars në Parma, Kili shpreson të nisë një periudhë të re të suksesshme, tashmë nën drejtimin e trajnerit Rikardo Gareka.

Argjentinasi 65-vjeçar do të ketë debutimin kundër kuqezinjve pasi është emëruar në janar të këtij viti me shpresën për të udhëhequr kombëtaren La Roja drejt finaleve të kampionatit botëror 2026.

Misioni i argjentinasit nuk është i lehtë, pasi Kili është një kombëtare në rënie, që shihet edhe në renditjen e përmuajshme të FIFA-s, ku ka zbritur vazhdimisht që nga viti 2016 kur arriti kulmin, duke mbajtur vendin e tretë, pas dy triumfeve radhazi në Kupën e Amerikës.

Aktualisht Kili mban vendin e 42-të në renditjen e FIFA-s, por më e keqja është që mban vendin e tetë aktualisht në kualifikueset e botërorit për Amerikën Jugore. Ka edhe shumë ndeshje për t’u luajtur, por deri tani Kili ka poshtë vetëm Perunë e Bolivinë dhe ka arritur vetëm një fitore.

Ndërkaq, Gareka e ka nisur menjëherë me probleme punën si trajner i Kilit, pasi katër nga lojtarët e thirrur nga ai për miqësoret me Shqipërinë e Francën do të mungojnë për shkak të problemeve fizike. Diego Valdes, Erik Pulgar, Karlos Palacios dhe Havier Altamirano nuk do të jenë me skuadrën dhe në vend të tyre janë thirrur Ben Brereton Diaz, Esteban Pavez, Aleksander Aravena dhe Lukas Asadi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat