Rrëfehet gruaja e Lautaros: Më tha nuk do të të mungojë asgjë

Futboll

Rrëfehet gruaja e Lautaros: Më tha nuk do të të mungojë asgjë

Më: 29 shkurt 2024 Në ora: 16:44
Lautaro Martinez

Me golin e bukur të shënuar mbrëmjen e së mërkurës në ndeshjen që Interi e rikuperoi dhe fitoi 4-0 ndaj Atalantës, Lautaro Martinez u ngjit në kuotën e 23 “rrjetave” në 24 ndeshje të Serie A.

Të thuash se bomberi argjentinas 26-vjeçar është vendimtar për titullin që po materializohet gjithnjë e më shumë është nënvlerësim. Sfera e tij private kontribuon në qëndrueshmërinë e madhe që Lautaro tregon në fushë.

Martesa e lumtur me Agustina Gandolfo i dha atij dy fëmijët, Nina dhe Theo.

Një marrëdhënie për të cilën partnerja e lojtarit argjentinas zbulon disa informacione që e bëjnë të qartë se si, pavarësisht nëse jeni një futbollist milioner apo dikush tjetër në këtë tokë, ndonjëherë fjalët apo qëllimet, madje edhe më të mirat në botë, nuk mjaftojnë për ta mbrojtur personin e dashuruar nga shqetësimet që do të hasë në rrugën e tij.

Gjithçka nisi kur Agustina vendosi të ndiqte të dashurin e saj në Evropë, pasi futbollisti ishte transferuar nga Racing tek Interi në vitin 2018. “Erdha për të vizituar Lautaron, me të cilin isha e lidhur prej disa muajsh dhe vendosa të mos kthehesha më, – i tha Gandolfo të përjavshmes “Oggi”, duke shpjeguar më vonë se nga atëherë jo gjithçka shkoi mirë. – Gjashtë muajt e parë në Itali ishin një dramë për mua. Nuk dija çfarë të bëja, në universitet nuk më futën në asnjë provim, pavarësisht se kisha dhënë 20 të tillë në Argjentinë”.

E reja, asokohe në të njëzetat, punonte në kompaninë e të atit në vendlindje dhe studionte për ekonomi. Në Milano gjithçka ndryshoi në një çast: “Qëndroja mbyllur në shtëpi, nuk studioja dhe nuk punoja. Për mua ishte e paimagjinueshme. Për më tepër, kisha ardhur me pak kursime, por pesos nuk vlejnë asgjë në Itali.

Për pak javë ato fluturuan. Kështu, një ditë i thashë të dashurit tim: Lauti, paratë e mia mbaruan. Ai më tha me të qeshir: ‘Mos u shqetëso, nuk do të të mungojë asgjë. Edhe unë buzëqesha, sepse ishte një frazë e bukur, por një humnerë u hap brenda meje. Isha shumë e shqetësuar, sepse dyshoja se do ta humbisja pavarësinë time ekonomike”.

Në atë moment Agustina përveshi mëngët dhe ristartoi gjithçka, duke filluar edhe studimet: “Unë e zotërova gjuhën. U regjistrova në një shkollë italiane, shkoja atje pesë orë në ditë, çdo ditë. Më pas më erdhi ideja të hapja një restorant.

Ndërkohë, për të pasur paratë e mia u bëra influencuese dhe pozova për disa marka italiane. U regjistrova në një universitet online, i cili kishte një avantazh të rëndësishëm: provimet jepeshin në Madrid, qyteti që më pëlqen më shumë në botë”.

Kjo referencë e fundit nuk duhet të sugjerojë një lëvizje të kapitenit zikaltër drejt Real Madridit: “Ne jemi mirë këtu. Shkoj shpesh në Madrid, sepse motra ime jeton atje. Lautaro është kapiteni i një Interi të mrekullueshëm dhe nuk ka as më të voglin synim për t’u larguar”. 

Negociatat për rinovimin e kontratës që skadon në vitin 2026 po vazhdojnë, në kërkim të një pikëtakimi që do t’i bëjë të gjithë të lumtur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat