Flet Kumbulla: Mezi po pres të futem në fushë

Futboll

Flet Kumbulla: Mezi po pres të futem në fushë

Më: 10 shkurt 2024 Në ora: 12:57
Kumbulla

Marash Kumbulla, i cili mbërriti te Sassuolo si huazim nga Roma, në ditën e fundit të merkatos së dimrit, ka dhënë deklaratat e tij të para si lojtar jeshilzi në kanalet zyrtare të klubit:

“Të gjitha stërvitjet e mia i kam bërë në ekipin e të rinjve të Veronës, duke luajtur fillimisht si mesfushor dhe më pas si qendërmbrojtës. Doja të luaja në Serie A dhe ia dola, madje arrita të shënoja me fanellën e klubit ku u rrita.

Trajneri Juric? Ai më dha debutimin në Serie A, e respektoj shumë. Do ta falënderoj përgjithmonë, sepse ishte i pari që besoi tek unë. Do ta takoj të shtunën në Sassuolo-Torino. Do ​​ta përshëndes, por padyshim që nuk ka miq në fushë, do të bëjmë gjithçka për ta fituar ndeshjen.

Pas Veronës erdhi oferta nga Roma, të cilën nuk mund ta refuzoja. Ishin tri vite e gjysmë shumë të bukura atje, me ulje-ngritje, në të cilat fituam edhe një trofe. Në karrierën time kam shënuar disa gola nga këndoret. Nuk është puna ime, por më pëlqen të shënoj. Sa herë që futem në zonën e kundërshtarit, përpiqem ta dërgoj topin në rrjetë. Shpresoj të shënoj disa gola edhe këtu.

Lëndimi? Erdhi në një kohë që nuk duhej të vinte. Periudha larg fushës ishte vërtet e vështirë. Tani jam gati dhe ndihem mirë fizikisht, mezi pres të futem në fushë. Jam duke u stërvitur me ekipin dhe tani më duhet vetëm të jem në fushë sa më shumë që të jetë e mundur.

Ardhja te Sassuolo? Gjithçka ishte shumë e shpejtë. Sapo erdhi oferta nga Sassuolo, nuk pata asnjë hezitim, i thashë menjëherë agjentit tim se doja të vija këtu. Para se të vija fola edhe me Bajramin (bashkëlojtar i kombëtares te Shqipëria), më tha se po më priste këtu.

Te Sassuolo gjeta një grup lojtarësh të gatshëm, një trajner të përkushtuar dhe një mjedis të qetë e kompakt. Renditja nuk është e mirë, por e dimë që me punë mund ta përmirësojmë këtë situatë.

Torino? Ndeshja e së shtunës nuk do të jetë e lehtë, ata janë një skuadër shumë fizike, që luan një kundër një në fushë. Megjithatë, me cilësitë tona do të mund t’i vëmë në vështirësi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat