Janari muaji provës për Brojën

Futboll

Janari muaji provës për Brojën

Më: 5 janar 2024 Në ora: 11:38
Broja

Për Armando Brojën ditët në vazhdim do të jenë kyçe sa i përket të ardhmes së tij në Londër.

Sulmuesi ka mjaft admirues në Angli, por ka shumë shanse që të mos largohet gjatë janarit nga “Stamford Bridge”.

Siç dihet brenda pak ditësh nis Kupa e Kombeve të Afrikës dhe mes lojtarëve, të cilët do të largohen nga Çelsi për të qenë pjesë e këtij kompeticioni me kombëtaret respektive është edhe Nikolas Xhekson. Sulmuesi nga Senegali do të udhëtojë drejt Afrikës duke i lënë kështu rrugë të lirë Brojës me Çelsin.

Sipas “The Athletic”, Kupa e Kombeve të Afrikës është një shans i artë për shqiptarin për të treguar se sa vlen. Sipas medias prestigjoze Poçetino do të jetë i detyruar që ta aktivizojë Brojën edhe pse herë herë argjentinasi mund të aktivizojë si “pykë” edhe Nkukun.

E ardhmja e Brojës ka qenë tema kryesore e trajtuar në podcastin “London is Blue” nga gazetari Nizar Kinsela. “Çelsi ka një shans të artë që të vlerësojë situatën e Armando Brojës. Ai është gati për të luajtur.

Unë mendoj se do të jetë titullar kundër Prestonit. Broja është tipi i lojtarit, i cili i pëlqen shumë klubeve në Premier.

Ai është tipi i lojtarit, i cili edhe pse mund të jetë në vështirësi mund të kthejë situatën në favorin e vet nëse arrin formën më të mirë”, tregoi gazetari.

Në fund të diskutimit Kinsela tregoi se Broja kishte shumë admirues në Angli dhe nëse Çelsi do të vendoste ta largonte alternativat nuk do t’i mungonin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat