Aventura greke nis me malore për Fatih Terim

Futboll

Aventura greke nis me malore për Fatih Terim

Më: 30 dhjetor 2023 Në ora: 12:51
Fatih Terim

Trajneri i mirënjohur turk, Fatih Terim u prezantua zyrtarisht të premten si trajner i grekëve të Panathinaikos, teksa nga Athina deklaroi se dëshiron që të rikthejë himnin e Champions Leagues në stadiumin e klubit dhe të fitojë titullin kampion.

Megjithatë eksperienca nuk ka nisur në mënyrën e duhur për Fatih Terim, i cili po paragjykohet pikërisht prej të qenit turk, duke pasur parasysh faktin që dy vendet nuk kanë pasur aspak marrëdhënie të mira ndër vite.

“Një ujk me petkun e deles. Si mund të emërohet trajner i një klubi grek një njeri që nuk e do Greqinë dhe popullin helen…” shkruante media greke për Terim, duke sjellë në vëmendje se trajneri është një njeri i afërt i presidentit turk Rexhep Taip Erdogan.

Nga ana tjetër, menjëherë pas prezantimit, Terim shkoi në pallatin e sportit për të ndjekur ndeshjen e Panathinaikosit në basketboll, por dhe aty nuk mori përgjigjen që priste nga ultrasit, të cilët nisën të thërrasin në kor emrin e paraardhësit të turkut, Ivan Jovanovic.

Natyrisht një nisje malore kjo për Terim, që do të duhet të tregojë shpejt cilësitë e tij dhe të fitojë zemrat e tifozëve të Panathinaikosit, një mision ky që duket se do të jetë jo pak i vështirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat