Mehmeti: Duhet të nxjerrim mësim nga kjo

Futboll

Mehmeti: Duhet të nxjerrim mësim nga kjo

Më: 16 dhjetor 2023 Në ora: 19:53
Mehmeti

Trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti, mendon se disa detaje të vogla i kushtuan një rezultat pozitiv skuadrës së tij ndaj Egnatias.

“Normalisht që Egnatia i ka elementët, jo vetëm si komponent lojtarësh e me cilësi, por edhe me mjaft eksperiencë.

Në pjesën e parë na vunë shumë në vështirësi dhe me meritë e kryeson kampionatin e janë ku janë. Ne bëmë maksimumin, në pjesën e parë, jo për justifikim, por mungesa e Markut na ka dëmtuar se nuk kemi alternativë për të. Vendosa Mesën duke parë cilësitë e Mustës dhe Ndrecës.

Edhe Lorran që është i majtë e përshtatim në mesfushë. Nuk janë justifikime, por në pjesën e dytë kishim mundësitë, me forcë karakteri barazuam.

Por më vjen keq për mënyrën se si pësojmë golat, sidomos goli i dytë. Edhe pse kundërshtari na imponoi gjatë 90 minutave, me Vilën mund të shkonim drejt barazimit, ky është futbolli. Duhet të qetësohemi e nxjerrim mësime nga kjo, edhe pse e dinim që ishte e vështirë, duhej të ishim më kërkues ndaj vetes. Se i pamë që në pjesën e dytë i vumë goxha në vështirësi.

Duke pasur parasysh spostimin e Mesa në të djathtën, se nuk kisha alternativa, edhe Bardhi është anësor. Edhe Lorran e futa në mesfushë të kishim superioritetin numerik në mesfushë. E nisëm shumë mirë dhe shpeshherë na ndodh që skuadra i imponon lojë kundërshtarit, por ka momente ku humbin besimin e nuk zbatojnë siç duhet detyrat. Skuadra duhet të ketë besim sidomos me kundërshtarë të tillë.

Skuadra nuk është kolauduar dhe sidomos në dy ndeshjet e fundit nuk kemi qenë në ekuilibër në disa momente të lojës, në Shkodër dhe sot. Po ta shohësh golin e parë e kemi pësuar një gol naiv. Edhe i dyti i Egnatias, linjat e qendrës duhej të ishin shumë më të kujdesshëm për të bllokuar kundërshtarin.

Megjithatë, Egnatia është një skuadra që ka alternativa dhe lojtarë që bëjnë diferencën në këto situata. Në disa pozicione në skuadër i kam të përshtatur. Ky është problemi i skuadrës, që duhet të formatohet në mënyrë më të drejtë që të mos bëjë gjithmonë ndërrime formacionesh. Ky nuk është justifikim, duhej bërë më mirë dhe kishim mundësinë që me Vilën të shkonim drejt barazimit.

Jam munduar të bëj maksimumin dhe vendos një skuadër që të luajë ndryshe kundrejt një skuadre siç është Egnatia dhe duhet të kemi parasysh që si Vila, edhe Kaçorri kanë bërë mirë. Por ata  kanë qenë në formacion dhe nuk kanë qenë ku duhet. Vila nuk ka qenë mirë në aspektin fizik. Jam detyruar që të fus Bardhin në të djathtë si mbrojtës, ai është anësor e lë shumë hapësira, që nuk mund t’ia lejosh Egnatias. Me mesa mendova të prisja dhe kundërsulmoja, siç e nisëm ndeshjen, por atë që mendon përpara, nuk është se ta interpretojnë gjithçka në fushë lojtarët. Pjesa e dytë ka qenë shumë më mirë dhe me Tiranën e Partizanin. Nuk është çështje emrash, por si interpretohet në dy fazat e lojës nga skuadra.

Skuadra është e brishtë se nuk ka besim te vetja, ishim pothuajse dominues në fund dhe duhej të kërkonim më shumë besim. Edhe fillimi ishte me besim, nuk është çështje vendosje apo me kë e nis me emrat. Skuadra duhet të ketë besimin te vetja kundrejt çdo kundërshtari. Më mungon një lojtar në të djathtë dhe nuk kam dublues. Janë gjëra që ndikojnë, por nuk janë justifikim. Nuk është se zbres skuadrën poshtë, i kërkoj të shkojnë lart, por në situata të veçanta, skuadra humb ekuilibrin dhe nuk kanë besimin e duhur”, tha për “MCN” Mehmeti pas përfundimit të sfidës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat