Pse Maradona e admironte Florentino Perez?

Futboll

Pse Maradona e admironte Florentino Perez?

Më: 29 nëntor 2023 Në ora: 14:15
Maradona

Diego Maradona kishte pak personazhe të paprekshëm, njerëz futbolli të cilët i idhullonte, i respektonte dhe nuk i kritikoi kurrë. Njëri ishte José Mourinho, me të cilin kishte një marrëdhënie të shkëlqyer. Një tjetër ishte Ronaldo, braziliani, me të cilin qeshi shumë. Po kështu ishte Florentino Pérez, presidenti i Real Madridit. Kushdo që është marrë me ’10’ në distanca të shkurtra mund ta dëshmojë këtë.

Pavarësisht nga e kaluara e tij te Barça, ai përfundoi duke pasur një urrejtje të caktuar për klubin blaugrana. Diego ishte një tifoz i madh i Real Madridit në vitet e fundit të jetës së tij. Duket si një “dolli për diellin”, por besojeni, kështu ishte. Ka shumë biseda që e dëshmojnë këtë. Edhe dashuria e tij për Florentinon mund të vërtetohet nga vetë presidenti i “Los Blancos” një ditë. Diego, për fat të keq, jo më, nuk mund ta vërtetojë këtë gjë.

“Diego kishte shumë respekt për Florentinon dhe e ndjente se ky vlerësim ishte i ndërsjellë”, – thotë për “Marca” një nga bashkëpunëtorët e ngushtë, që Maradona ka pasur në 15 vitet e fundit të jetës së tij.

Admirimi që kishte “El Diez” për Florentino Perez ishte i pamasë. Në rrethet intime dhe në një intervistë që bëri me të dikur “Marca”, legjenda argjentinase e futbollit përsëriti se “Florentino ishte lideri më i mirë që futbolli ka dhe do të ketë, një ditë e meriton të bëhet president i FIFA-s”.

Për më tepër, ia tha këtë në një rast një anëtari të FIFA-s. Për Maradonën, presidenti i Real Madridit ishte “El Uno”. Është e vërtetë që Infantino, presidenti i FIFA-s, gjithmonë e ka respektuar Maradonën, ata kanë qenë miq të mirë, aq afër sa mund të ishte Diego me një drejtues futbolli.

Madje, ka anekdota që dëshmojnë për “florentinizmin” e Maradonës. Kjo anekdotë ka ndodhur në një ceremoni çmimesh, që u zhvillua në Dubai. Florentino Perez i tha Diegos: “Nëse do të kisha qenë president, kur ju shkuat te Barça, nuk do të kishit shpëtuar nga Spanja, do të qëndronit për të jetuar në Madrid”.

Thonë se Diego u emocionua shumë, madje Florentino i tha: “Do të të jap numrin tim të telefonit që të më telefonosh për çfarë të duhet, por vetëm ti mund të më telefonosh nëse të duhet diçka”.

Maradona kishte gjithmonë siklet t’i telefononte, edhe pse “El Diez” ishte guximtar në raportet me këdo. Por Florentino Perez ishte diçka tjetër. Dhe ai kurrë nuk guxoi ta shqetësonte.

Diego thoshte se Pérez ishte presidenti më i mirë sepse “ai nuk ka nevojë të vjedhë, e do me zemër klubin e tij”. Me pak fjalë, sot që Napoli viziton “Bernabeu”, ishte e detyrueshme të theksohej dhe zbulohej ‘realmadridizmi’ dhe ‘florentinizmi’ i panjohur që Maradona shpalli në vitet e fundit të jetës së tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat