Reali mbetet me 16 lojtarë për sfidën me Valencian

Futboll

Reali mbetet me 16 lojtarë për sfidën me Valencian

Më: 11 nëntor 2023 Në ora: 12:45
Reali

Reali i Madridit vazhdon të prodhojë lojë e rezultate në La Liga e në Champions. Por problemi i “los blancos”- ve janë mungesat e shumta si pasojë e dëmtimeve dhe pezullimeve të lojtarëve.

Kjo ka bërë që për takimin e sotëm kundër Valencias, trajneri Ançeloti të ketë në dispozicion të tij vetëm 16 lojtarë nga ekipi i parë dhe do të mbushë radhët e ekipit me të rinjtë nga akademia e klubit.

Kundër Valencias, Madridi përballet me shtatë mungesa të mëdha. Kurtua, Kepa, Militao, Tçuameni, Sebajos dhe Arda Gyler janë të dëmtuar dhe do të mungojnë. Atyre u shtohet dhe Antonio Rydiger, i cili do të mungojë për shkak pezullimi me kartonë. Me këtë skenar, Ançeloti do të duhet të thërrasë lojtarë të rinj, duke filluar nga porta, sepse ai ka të gatshëm vetëm Lunin.

BELLINGAM – Në mes të një serie lajmesh negative për Ançelotin, që duhet të mendohet më shumë se një herë përpara se të vendosë për formacionin, ka dhe lajme të mira. Lajmi më i rëndësishëm për të është kthimi i gatshëm për lojë i mesfushorit Xhud Bellingam.

Anglezi mungoi në mesjavë në Ligën e Kampioneve përballë Bragës si pasojë e një dëmtimi në shpatull, të marrë kundër Vajekanos javën e kaluar në La Liga. Por, për Valencian ai është gati dhe ka premtuar se do të bëjë më të mirën.

Deklarata e mesfushorit anglez ka ardhur me rastin e fitimit të trofeut si lojtari më i mirë i Realit për të tretin muaj radhazi. Bellingam ka folur për gjendjen e tij dhe për ndeshjen kundër Valencias. Ndërkohë që Ançeloti nga ana e tij ka theksuar se Bellingami do të jetë titullar sonte në mbrëmje (21:00).

“Unë jam gati, kam pasur një dëmtim në shpatull përballë Valencias, ndaj pushimi në mesjavë më ka shërbyer të rikuperohem plotësisht nga dhembjet. Mezi po e pres këtë sfidë, kam shumë dëshirë të jem në fushë dhe të fitojmë përballë Valencias”, deklaroi ai.

Ndërkaq, ai ka nënvizuar se barazimi ndaj Vajekanos ka qenë një mesazh për ekipin se La Liga nuk do të jetë shaka. “Barazimi ndaj Vajekanos ishte një mësim i mirë për ne. Jam i bindur se kemi mësuar jo pak nga ai rezultat, pavarësisht se nuk na pëlqeu aspak”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat