Çuni u bashkohet kuqezinjve

Futboll

Çuni u bashkohet kuqezinjve

Më: 15 tetor 2023 Në ora: 17:53
Shqipëria

Shqipëria kreu seancën e radhës stërvitore në ambientet e ”Shtëpisë së Futbollit”. Kuqezinjtë vijojnë përgatitjet intensive në prag të takimit miqësor ndaj Bullgarisë. Teksa seanca e së dielës nisi në një mënyrë ndryshe për përfaqësuesen.

Pak para fillimit të stërvitjes, u zhvillua një takim mes ekipit kombëtar të meshkujve dhe të femrave, që drejtohet nga Armir Grima. Takimi u shoqërua nga atmosfera pozitive dhe të qeshurat. I pranishëm ishte dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

Sa i takon grupit që do të jetë i gatshëm për ndeshjen e së martës, do të mungojnë Mirlind Daku dhe Keidi Bare. Sulmuesi i thirrur nga Frosionone, Marvin Cuni kreu seancën e parë stërvitore me ekipin kombëtar.

Në miqësoren ndaj bullgarëve, Sylvinho pritet të bëjë disa ndryshime në formacion, në krahasim me përballjen e fituar 3-0 ndaj Republikës Çeke.

Për teknikun brazilian do të jetë ndeshja e parë jozyrtare që do të zhvillojë me përfaqësuesen kuqezi. Nga grupi që ka aktualisht në dispozicion Sylvinho, askush nuk ka paraqitur probleme dhe të gjithë janë në kondicionin e duhur për t’u përballur me Bullgarinë.

Menjëherë pas sfidës, lojtarët do të largohen dhe do të ribashkohen me klubet respektive, para se të rikthehen sërish në Nëntor për dy sfidat e mbetura të grupit E. Ndaj Moldavisë në transfertë (17) dhe Ishujve Faroe në shtëpi (20). Duele ku mjafton një pikë.

Takime që tashmë konsiderohen formalitet, me Shqipërinë që është me një këmbë në Euro 2024, teksa kombëtarja kuqezi është shumë pranë zyrtarizimit në kampionatin Europian për herë të dytë në histori.

Shqipëri-Bullgari do të luhet në stadiumin “Air Albania”, të martën e 17 tetorit. Sfida fillon në orën 18.00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat