Fabregas zbulon 3 ekipet e preferuara në Premier

Futboll

Fabregas zbulon 3 ekipet e preferuara në Premier

Më: 15 tetor 2023 Në ora: 14:10
Fabregas

Cesc Fabregas ka emëruar tre skuadrat e tij të preferuara në Premier League.

Megjithatë, spanjolli injoroi ish-klubin Chelsea me zgjedhjet e tij.

Fabregas zgjodhi fituesit e “Treble” Manchester City, ekipin e vjetër Arsenal dhe Brighton si skuadrat që i pëlqen të shikojë më shumë.

Ai ishte plot elozhe për Pulëbardhat, madje duke i krahasuar me skuadrën e Topçinjve ku ai luajti nën drejtimin e Arsene Wenger-it.

“Është mënyra se si ata e kuptojnë lojën”, tha Fabregas për The Mirror.

“Ata e dinë kur të ngadalësojnë, kur të shpejtojnë, kur të gjejnë hapësirat e duhura. Ata e dinë kohën e duhur se kur duhet të tërheqin lojtarët dhe më pas të përshpejtojnë”.

Fabregas beson se “futbolli i shpejtë dhe i zgjuar” i Brighton është i ngjashëm me atë se si luante Arsenali gjatë kohës së tij në Londrën Veriore.

Ai shtoi: “De Zerbi është një  trajner nga i cili po mësoj shumë”.

Sa i përket ish-klubit të tij Arsenal, 36-vjeçari shpjegoi: “Arsenali përdor atë formacion 3-1-3-3 – që është gjashtë lojtarë para topit.

“Në këtë skemë trajneri u kërkon mbrojtësve të jenë më të shpejtë dhe të rikuperojnë topin. Pastaj ata kanë mundësinë të luajnë pak më shumë futboll sulmues.

“Por mund ta shikosh ndryshimin kur Saliba luante dhe u dëmtua (sezonin e kaluar). Mikel do t’ju thotë vetë se nuk është e njëjta mënyrë loje me ose pa Saliba-n”.

Fabregas luajti nën drejtimin e Wenger-it tek Arsenal për shtatë vjet, duke fituar Kupën e Anglisë para se të largohej te Barcelona në vitin 2011.

Ai më vonë u kthye në Premier League me Chelsea-n dhe fitoi pesë trofe me Blues, duke përfshirë dy tituj të Premier League dhe Europa League.

Pas eksperiencave me Monaco dhe Como, Fabregas u tërhoq në fund të sezonit të kaluar dhe tani është trajner i ekipit Under 19 të Como-s.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat