Hysaj gati kundër Atleticos së Simeones

Futboll

Hysaj gati kundër Atleticos së Simeones

Më: 19 shtator 2023 Në ora: 11:38
Hysaj

Lacio e Mauricio Sarrit është gati të debutojë në Champions dhe për këtë rast është rikthyer edhe Elseid Hysaj në dispozicion të ekipit italian. 

Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, i cili ka dalë i dëmtuar nga ndeshja e kampionatit ndaj Juventusit të shtunën, është stërvitur dhe është në dispozicion të trajnerit toskan, i cili në kuadër të ndeshjes kundër Atletikos së Madridit, po mendon të startojë për herë të parë Mateo Guenduzin, pasi ai është shfaqur në formë të shkëlqyer kur i është dhënë mundësia. Kundërshtarët e Çolo Simeones kanë një mentalitet të ndryshëm nga ai i Sarrit.

“Vite më parë thashë se mënyra ime e të parit të futbollit ishte ndryshe nga e tija, por kisha vlerësim të madh. Me stilin e tij të lojës arriti sukses si në Spanjë ashtu edhe në Europë. Konfirmoj vlerësimin tim”, tha tekniku italian në konferencën për shtyp. Pas humbjes me Juven në Torino, mendja është vetëm në sfidën e sotme në “Olimpico”: “Është e panevojshme që të ndalemi te ndeshja e shkuar. Duhet të korrigjojmë gabimet. Pres që skuadra të vijojë përmirësimin, duke korrigjuar defektet e fillimsezonit”.

SIMEONE – Ndërsa trajneri i spanjollëve, Diego Simeone, dëshiron të harrojë humbjen 3-0 kundër Valencias:

“E bukura e një disfate është se mund të kuptoni se çfarë të përmirësoni, çfarë të korrigjoni, për shembull mungesën e intensitetit. Ne nisëm mirë, por më pas nuk arritëm të reagonim.

Tani është Liga e Kampioneve. Unë vazhdoj të kem besim te ekipi, e nesërmja është një sfidë e madhe për mua, ne do ta luajmë sa më mirë”. Por edhe Lacio ka fituar vetëm 1 nga 4 ndeshjet e fundit: “Më pëlqen loja e Sarrit.

Lacio është një skuadër që mbyll hapësirat në zonë, mbrohet mirë, kërkon epërsi numerike. Është një skuadër që di çfarë do, me një trajner të fortë. Duhet të përpiqemi ta lëndojmë atë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat