Kukësi bie në shtëpi, Egnatia i shënon katër gola

Futboll

Kukësi bie në shtëpi, Egnatia i shënon katër gola

Më: 3 shtator 2023 Në ora: 18:20
Pamje nga ndeshja

Egnatia mori fitoren e parë në këtë sezon, pasi mundi 0-4 Kukësin në tranfertë, në një ndeshje ku rrogozhinasit ishin dominues absolute.

Kukësi pëson humbjen e dytë në po kaq ndeshje dhe mbetet në vendin e fundit, duke dëshmuar dhe një herë se do të jetë një edicion i vështirë, teksa edhe në shtëpi nuk arriti dot të reagonte.

Egnatia ishte kërkuese që në filim të sfidës dhe vetëm pas 11 minutash arriti që të kalonte në avantazh.

Pas ekzekutimit të një goditje nga këndi, Paulaskas shtyu drejt rrjetës një top që nuk u largua nga mbrojtja kuksiane. Rrogozhinasit nuk e ulën ritmin dhe patën disa mundësi për të shënuar por vetëm në të 28-ën realizuan sërish. Ndreca harkoi saktë nga e majta dhe gjeti brenda zonës Dwamena, i cili me kokë mposhti përsëri Brozin.

Në fillimin e pjesës së dytë, sërish kapiteni Dwamena arriti që të shënonte, teksa këtë herë depërtoi nga e djathta dhe me një goditje të bukur dërgoi shifrat në 0-3. Pak momente më vonë La Torre shënoi për Kukësin, por goli ishte i pavlefshëm pasi në nisjen e aksionit peruani ishte më i avancuar se linja e mbrojtjes.

Në të 57-ën, Iskandarli arriti që të realizonte dhe golin e katërt, këtë herë i shërbyer nga Malota, me portën e boshatisur, azeri nuk e pati të vështirë të katër-fishonte rezultatin.

Kukësi bëri shumë pak në këtë ndeshje dhe në 2 javë ka pësuar 7 gola, një sinjal se ka shumë punë për të bërë, ndërkohë që Egnatia kthehet në rrugën e duhur drejt objektivit të saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat