Lëvizjet e lojtarëve duke nisur nga 1 korriku dhe që do të mbyllen me fillimin e shtatorit janë në qendër të lajmeve sportive. Por “The Sun” ka vendosur të bëjë një analizë yjesh.
Në fushën e blertë, këtë radhë të realizuar në kompjuter janë renditur 11 lojtarë, që janë në majën e futbollit, por që nga kjo e shtunë nuk i përkasin asnjë ekipi.
Ndaj kontratën mund ta nisin me parametra zero. Madje bëhet fjalë për emra kampionësh si David De Gea, Sergio Ramos dhe Wilfried Zaha.
Sulmuesi i Kristal Palasit, refuzoi ofertën e një kontrate të re prej 200 mijë paundësh në javë me londinezët.
30-vjeçari dëshiron të luajë në Champions dhe është përfolur se mund t’i bashkohet ekipeve të Lacios ose PSG-së.
Atij sigurisht që nuk i mungojnë alternativat, ashtu siç Serxho Ramosit, i cili u lirua nga PSG-ja në fillim të muajit qershor.
Mbrojtësi spanjoll mund të kthehet aty ku filloi gjithçka, te Sevilja. Ish-shoku i tij Angel di Maria është në një pozicion të ngjashëm dhe mund të kthehet te Benfika pas largimit nga Juve.