Katër ekipe në garë për titullin kampion

Futboll

Katër ekipe në garë për titullin kampion

Më: 14 maj 2023 Në ora: 11:57
Pamje nga një ndeshje

Kampionati i futbollit amator 9×9 “FSHF Sunday League” ka mbërritur në fazën gjysmëfinale, me katër ekipet që u kualifikuan pas ndeshjeve të turit çerekfinal dhe garojnë për titullin kampion. Sakaq, këtë javë janë luajtur edhe finalet për dy trofetë e tjerë, Kupa Kategoria e Dytë dhe Kupa Oktapus.

Në garën play-off që quhet “Kupa e Kampionit” janë luajtur katër ndeshjet çerekfinale të këtij edicioni me sfidat që u zhvilluan në fushat e Shtëpisë së Futbollit dhe Tirana United.

Prestige siguroi kalimin për në katërshe pasi mundi Novan me rezultatin 2-1 dhe në gjysmëfinale do të ketë përballë FC Dussel. Kjo e fundit u kualifikua pas një ndeshjeje shumë të fortë më ATS, që u mbyll në barazim 0-0. U deshën penalltitë për të përcaktuar ekipin që kalon turin.

Edhe sfida tjetër mes Dajtit dhe Vila L ka qenë tejet e ndezur dhe u mbyll në barazim 0-0. Nga pika e bardhë e penalltive u treguan më të saktë lojtarët e Vila L, duke triumfuar 4-2. Ndërkaq, Vila L do të sfidojë në gjysmëfinale ekipin Kastriotët, që mundi me goleadë KKD me rezultatin 7-2. Ndeshjet e turit gjysmëfinal për Kupën e Kampionit do të luhen më datë 18 maj.

Po këtë javë u luajtëm edhe dy ndeshjet finale, që shpallën fituesit e dy trofeve të tjera të FSHF Sunday League Albania. Kupa Kategoria e Dytë u fitua nga Oktapus që mundi pas penalltive Elso, pasi koha e rregullt mbaroi në barazim 0-0. Finalja për Kupën Oktapus ishte një tjetër histori Ferraj mposhti 3-0 Jata Market duke rrëmbyer trofeun.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat