Trajneri i Totenhemi, Ante Postecoglu, ka reaguar mjaft ashpërsisht në konferencën e sotme për shtyp, një ditë para ndeshjes së skuadrës së tij ndaj Mançester Sitit. Kjo ndeshje mund të jetë vendimtare në luftën për titullin pasi nëse ekipi londinez fiton, i jep avantazhin Arsenalit para javës së fundit të kampionatit.
Aludohet se shumë tifozë të Totenhemit duan që Arsenali të mos fitojë titullin, por trajneri ka bërë të qartë se as nuk i shkon në mendje ideja e humbjes me dashje.
“Një pjesë e tifozëve duan që të humbasim? Çfarë kuptimi ka kjo? Çfarë pjese? Me të vërtetë! 50%? 20%? 1%? Nuk e dini. Ok! Pra le t’i përgjigjemi një pyetje të cilës nuk i dimë përgjigjen. Në rregull. Njerëzit kanë të drejtë të ndjehen siç duan.
Ne duhet të njohim se çfarë është suksesi i vërtetë. Dhe suksesi i vërtetë duket si trofe. Çdo gjë tjetër, tallje, mburrje, çfarëdo të jetë, është e pakuptimtë për mua, për çdo person që ka lidhje me mua. Ne nesër kemi një ndeshje që duam ta fitojmë.
Nesër ka një ndeshje futbolli, çfarë mendoni se do të ndodhë? Çfarë mendoni se do të bëjmë si skuadër? Ose çdo skuadër në planet? A nuk do të mundohemi ta fitojmë? Është një premisë bazike. Tani se si ndjehen njerëzit nga kjo, të them të drejtën nuk më intereson. E urrej ta mendoj që do të dalim nesër me çdo gjë tjetër përveçse me dëshirën për t’u matur me një skuadër të madhe e ndoshta të fitojmë një ndeshje.
Si mund të bëhemi një skuadër që fiton gjëra nëse në ndeshjet e mëdha ne tërhiqemi? Pse duhet të tërhiqemi nesër nëse kemi një sfidë përpara? Shiko, e kuptoj. Ky mendim është nëse dalim nesër në fushë dhe 50% na mbështetin dhe 50% na brohorasin, por më duket shumë e pamundur.
Nëse flet për rrjetet sociale, atëherë praktikisht 99% e tifozëve nuk duan që Totenhemi të fitojë. Por të lutem mos më thuaj që kjo është bota jote (i drejtohet gazetarit). Atje jashtë ka një botë më të madhe. Do të duhet që të bësh seancë te psikologu nëse kjo është bota jote.
Unë nuk e kuptoj, nuk mund ta kuptoj kurrë këtë. Unë e kuptoj rivalitetin, kam qenë pjesë një më të mëdhenjve në sport në vitet e fundit me Sëlltik dhe Rejnxhërs, por nuk do ta kuptoj kurrë nëse dikush do që ekipi i tij të humbasë. Unë e di që 100% e tifozëve të Totenhem duan që ne të fitojmë, të jemi të suksesshëm dhe marrim trofe. Pa asnjë pikë dyshimi të fitojmë nesër do të na ndihmojë t’u sjellim lumturi 100% të tifozëve të ekipit”, tha Postecoglu duke hedhur poshtë aludimet.