Zhgënjim

Futboll

Zhgënjim

Më: 10 janar 2023 Në ora: 23:29
De Ketelaere

Merkatoja e verës së kaluar nuk ka qenë aspak në nivelin e pritshmërive për Milanin dhe kjo konfirmohet nga aktivizimi i paktë i futbollistëve që Maldini e Massara zgjodhën t’i afrojnë në organikën e kampionëve të Italisë.

Pavarësisht punës së madhe të Piolit dhe stafit të tij, ende asnjë prej futbollistëve të afruar verën e kaluar, nuk ia ka dalë të fitojë një fanellë titullari.

De Ketelaere është padyshim zhgënjimi më i madh, pasi deri tani ka luajtur 829 minuta mes kampionatit e Championsit, por shumë larg pritshmërive.

Për belgun Milani shpenzoi 32 milionë euro, por ndonëse fillimisht luante titullar, më pas u zhduk gradualisht dhe tani Pioli e hedh vetëm si alternativë në 30-minutëshin e fundit. Megjithatë belgu ka në favor moshën dhe te Milani shpresojnë që mund të ringjallet ashtu si Tonali e Leao.

Një tjetër belg i afruar verën e kaluar, është edhe Divock Origi, prej të cilit pritej shumë, por që deri tani numëron vetëm 502 minuta, kryesisht në kampionat.

Problemet e shumta fizike e kanë lënë sulmuesin më së shumti në infermieri, ndaj nuk ka mundur të përmbushë pritshmëritë e kuqezinjve.

Sergino Dest erdhi te Milani në huazim me të drejtë blerjeje, por duket se në fund të sezonit do të kthehet sërish pas.

Mbrojtësi i djathtë numëron vetëm 380 minuta dhe nuk ka luajtur titullar as kur u dëmtuan Calabria e Florenzi njëkohësisht, me Piolin që preferoi të spostojë francezin Kalulu në krah.

Thiaw erdhi nga Schalke 04 si një mbrojtës premtues, por deri tani ka mbetur vetëm i tillë.

Vetëm 124 minuta në total, teksa mbahen mend prej tij ato dy raste kur shpëtoi kuqezinjtë nga goli në ndeshjen ndaj Veronës. Pioli nuk e ka shumë në konsideratë dhe shpesh preferon Gabbian para tij.

Një tjetër talent është edhe Adli, të cilin Milani e bleu një vit më parë nga Bordeaux për 10 milionë euro, por e la atje të maturohej edhe më shumë. Këtë sezon ka luajtur vetëm një ndeshje si titullar dhe Pioli e ka aktivizuar vetëm 114 minuta në total, duke treguar se nuk e sheh si fantazistin e Milanit të tij.

Vranckx është ai që ka luajtur më pak nga blerjet e reja, vetëm 66 minuta. Mesfushori 20-vjeçar ka ardhur në huazim me të drejtë blerjeje, por nuk ka bindur deri tani dhe në fundjavë ndaj Romës, i dhuroi Dybalës goditjen e dënimit që solli barazimin.

Një tjetër futbollist, që është prej kohësh në pronësi të Milanit, por iu bashkua kuqezinjve këtë verë pas huazimeve në skuadra të ndryshme, është edhe Pobega, që ka luajtur 606 minuta mes kampionatit dhe Champions Leagues. Edhe ky nuk ia ka dalë të shndërrohet në një titullar, megjithatë Pioli e ka përdorur shpesh për t’u dhënë mundësi Bennacerit e Tonalit të çlodhen.

Pikërisht kjo vështirësi e blerjeve të reja, për t’u përshtatur te kampionët e Italisë, ka stepur jo pak dyshen Maldini-Massara, të cilët tani duket se kanë vendosur të mendohen mirë, para se të afrojnë futbollistë të tjerë në dispozicion të Piolit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat