Kritikat për një “selfie” para arkivolit të Pele, reagon Infantino

Futboll

Kritikat për një “selfie” para arkivolit të Pele, reagon Infantino

Më: 3 janar 2023 Në ora: 17:00
Infantino

Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, ka përfunduar në epiqendër të kritikave që pasi u publikuan disa foto të tijat ku ai shfaqej duke bërë selfie pranë arkivolit dhe kufomës së Pele gjatë ceremonisë së homazheve për legjendën e futbollit botëror që u nda nga jeta pak ditë më parë.

Tifozët e kanë cilësuar sjelljen e tij të papërshtatshme dhe Infantino u kthye përsëri kështu në një objektiv sulmesh në rrjetet sociale, sulme të cilave ai u është përgjigjur duke publikuar fotot dhe duke shpjeguar rrethanat pse kishte bërë selfie pranë trupit të pajetë të Pele.

“Sapo u ktheve nga udhëtimi im në Brazili ku kisha privilegjin që të merrja pjesë në homazhet e bukura ndaj Pele që u zhvilluan në Vila Belmiro në Santos.

Jam i mërzitur pasi jam informuar se po kritikohem nga disa njerëz pasi kam bërë selfie dhe foto gjatë ceremonisë së djeshme.

Do të dëshiroja të qartësoja se isha i nderuar dhe i përulur kur shokë skuadre dhe pjesëtarë të familjes të të madhit Pele më kërkuan nëse mund të bëja foto me ta. Dhe qartësisht unë pranova menjëherë.

Në rastin e selfie, shokët e skuadrës së Pele më kërkuan që të bënim një të tillë të gjithë bashkë, por ata nuk dinin se si ta bënin. Ndaj që të ndihmoja, unë mora telefonin nga një prej tyre dhe bëra foton me të gjithë ne.

Nëse të ndihmoj një shok skuadre të Pele krijon kritika, atëherë unë jam i lumtur që të pranoj të tilla dhe do të vazhdoj të ndihmoj këdo mes atyre që kanë kontribuar për të shkruar faqe legjendare të futbollit.

Kam aq shumë respekt dhe admirim për Pele dhe për atë ceremoni të djeshme, sa që nuk do të bëja kurrë diçka që do të tregonte mungesë respekti të çfarëdo lloj forme.

Uroj që ata të cilët publikuan apo thanë gjëra pa ditur dhe pa kërkuar informacion, të kenë burrërinë dhe kurajën të pranojnë se ishin gabim dhe të korrigjojnë atë që kanë thënë.

Gjëja më e rëndësishme është që të bëjmë homazhet ndaj Mbretit Pele dhe unë me përulësi sugjerova që në 211 vendet tona anëtare, të paktën një stadiumi apo një fushe stërvitore t’i vihet emri i tij. Ne do të japim shembullin duke i vendosur fushës në qendrën tonë emrin ‘Estádio Pelé – FIFA Zürich’. Një përqafim dhe rroftë Mbreti”, shkruante Infantino në mesazhin e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat