Dorëzohet Rumania, jepet drita e gjelbër për Kosovën

Futboll

Dorëzohet Rumania, jepet drita e gjelbër për Kosovën

Më: 22 tetor 2022 Në ora: 13:34
Dorëzohet Rumania, jepet drita e gjelbër për Kosovën

Federata Rumune e Futbollit (FRF) ka marrë miratimin e Qeverisë që përfaqësuesja rumune të luajë ndeshjet me Kosovën, të vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Evropian “Euro 2024”.

Më 9 tetor u tërhoq shorti për grupet e fazës kualifikuese për “Euro 2024”, që do të mbahet në Gjermani,.

Kombëtarja e Kosovës u shortua në Grupin I, bashkë me Zvicrën, Izraelin, Rumaninë, Bjellorusinë dhe Andorrën.

Pas shortit, Rumania fillojë të bënte zhurmë dhe kërkohej që përfaqësuesja e këtij vendi të mos luajë kundër “Dardanëve”.

Theodor Melescanu, ish-ministri i Jashtëm i Rumanisë, kishte kërkuar nga FRF që të mos pranojë të luajë ndaj Kosovës, edhe nëse pastaj vendoset që ndeshjet të regjistrohen me rezultat zyrtar 3:0.

Megjithatë, lajmet se Rumania mund të përjashtohet nga FIFA dhe UEFA nëse nuk luan ndaj Kosovës, duket se kanë zbutur rumunët.

Federata e Futbollit që udhëhiqet nga Razvan Burleanu kërkoi mendimin e autoriteteve të vendit lidhur me këtë çështje, duke marrë parasysh se Rumania nuk e njeh shtetin e Kosovës.

Në përgjigjen për mediumin rumun “GSP”, Ministria e Punëve të Jashtme ka sqaruar se pjesëmarrja në gara të sportistëve apo ekipeve nga Rumania, së bashku me ata të Kosovës, si dhe organizimin e garave sportive në Rumani, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të federatave sportive përkatëse, nuk nënkupton dhe nuk mund të ketë efekt të njohjes nga Rumania të shtetësisë së Kosovës.

Kësisoj, sipas mediumit në fjalë, Federata Rumune e Futbollit ka marrë dritën e gjelbër për të organizuar ndeshjen kundër Kosovës, por me një kusht nga Ministria e Punëve të Jashtme, që “të mos ndërhyhet në qëndrimin e këtij shteti lidhur me statusin e Kosovës”.

Rumania e vlerëson Kosovën ende si një krahinë dhe nuk e njeh shtetësinë e saj.

Sidoqoftë, ky vend pritet që të njoftohet më mirë me Kosovën vitin e ardhshëm, kur do të zhvillojnë dy ndeshje mes vete në kuadër të këtyre kualifikimeve.

Ndeshja e parë është e paraparë që të zhvillohet më 16 qershor, me Kosovën që do të jetë nikoqire.

Ndërkaq, më 12 shtator, Kosova do të jetë mysafire e Rumanisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat