Policia arreston dy tifozë të Elbasanit, reagojnë ultrasit

Futboll

Policia arreston dy tifozë të Elbasanit, reagojnë ultrasit

Më: 11 tetor 2022 Në ora: 19:07
Policia arreston dy tifozë të Elbasanit, reagojnë ultrasit

Dy tifozë të grupimit ultras të ekipit të Elbasanit, “Tigrat Verdheblu”, janë arrestuar nga policia e Pogradecit pas incidenteve që pati midis efektivëve të policisë dhe tifozëve të Elbasanit të dielën.

Më herët, komisariati i policisë së Pogradecit pat shpallur në kërkim dy tifozët dhe sipas informacionit të dërguar në komisariatin e Elbasanit, është bërë i munduar shoqërimi i njërit prej tyre, ndërsa tjetri është paraqitur vetë në komisariat.

POLICIA – “Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec bënë ndalimin e shtetasit në kërkim E. V., 24 vjeç, banues në Elbasan, për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës” dhe “Shkatërrimi i pronës”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 09.10.2022, në Pogradec, ku gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit Pogradeci-Elbasani, 24-vjeçari i ndaluar, së bashku me persona të tjerë, dëmtuan rrethimin e jashtëm të stadiumit “Gjorgji Kyçyku” dhe për shkak të detyrës, goditën 2 punonjës policie”, thuhet në njoftimin e policisë së Qarkut te Korçës.

REAGIMI – Sakaq, ka reaguar edhe grupimi ultras, duke sqaruar ngjarjen dhe kërkuar lirimin e shokëve të tyre. “Ditën e diel, dt. 09.10.2022, në stadiumin “Gjorgji Kyçcyku” Pogradec jemi hasur me dhunën fizike nga policia e Pogradecit.

Përpos ofendimeve nga tifozeria kundërshtare dhe gjesteve provokative të lojtarëve të ekipit te Pogradecit, ndaj trajnerit tonë Gentian Stojku fillon një lumë sharjesh nga tribuna kryesore.

Ne, të indinjuar reagojmë duke nisur të ofendojmë dhe në atë moment ndërhyjnë forcat e rendit dhe “Shqiponjat” duke goditur djemtë tanë me shkopinj gome.

Në asnjë stadium në botë nuk ka prezencë policie brenda sektorit të tifozerisë dhe sidomos të reagojë në atë mënyrë. Prania e tyre në perimetrin tonë solli agravim të situatës ndërkohë ne kërkonim largimin e tyre. Në rast të prishjes së rendit forcat e policisë rreshtohen nga pjesa e jashtme e rrethimit dhe kjo vetëm në raste kur sigurimi privat apo bashkiak nuk ja arrin të përballojë situatën.

Për shkak të menaxhimit të dobët, amatoresk dhe aspak profesional të klubit Pogradeci, sot ndodhen dy prej anëtarëve tanë në qelitë e komisariatit Korçë.”, shkruhet në reagimin e ultrasve të Elbasanit të cilët kanë postuar edhe fotot e momenteve kur policia i ka sulmuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat