Derbi i madh Drita - Gjilani, Nuhiu: Na pret një ndeshje speciale

Futboll

Derbi i madh Drita - Gjilani, Nuhiu: Na pret një ndeshje speciale

Më: 13 shtator 2022 Në ora: 18:38
Nuhiu

I dyti takohet me të parin apo është përballje mes rivalëve të përbetuar e të një qytetit, që luajnë në një stadiumi, Drita – Gjilani.

Gjilani është lider me 14 pikë apo ka 4 fitore e 2 barazime dhe Drita 3 fitore e 2 barazime por ka një ndeshje me pak pas 6 javëve në elitën e futbollit të Kosovës. 

Në prag të ndeshjes derbi kryetrajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, theksoi se nesër (15.00) zhvillohet një ndeshje speciale, për të cilën Drita duhet të tregojë karakter. 

“Na pret një ndeshje speciale për ne dhe tifozët tanë, të cilën duhet ta luajmë me përqendrim dhe përgjegjësi.

Skuadrën kundërshtare e njohim mirë, ata kanë një ecuri të mirë dhe cilësi, Më gëzon forma e mirë e skuadrës tonë, ku përveç në aspektin ekipor edhe në atë individual, ku të gjithë futbollistët dalëngadalë po marrin formën e tyre optimale.

Secili po e njeh bashkëlojtarin dhe po përformojmë jashtëzakonisht mirë. Neve na mbetet që me shumë autoritet dhe përgjegjësi të bëjmë një ndeshje të madhe dhe të shfrytëzojmë potëncialin tonë të dalim sa më mirë nga kjo ndeshje. Nesër e dijmë që derbi do të zhvillohet pa tifozë, por jam i bindur se ata nuk do të mungojnë dhe do ta mbështesin skuadrën kudo që e ndjekin lojën”, ka thënë Nuhiu.

Ai u pyet për ndeshjen derbi dhe rezultatet e deritanishme, për cka tha se vetë ai, por edhe futbollistët i duan ndeshjet e forta, sepse aty tregohet vlera e tyre.

“Gjithmonë kjo ndeshje është motiv shtesë, pavarësisht se në ndeshjet e fundit derbi nuk i kemi fituar.

Në ndeshje të tilla ato pak raste duhet shfrytëzuar, sepse përkundër mundësive të krijuara ndonjëherë thjesht ka munguar finalizimi. Prandaj, uroj që nesër të kemi edhe fatin sportiv me ne dhe ato që na paraqiten të jemi të qetë për të realizuar dhe marr tre pikëshin.

I dua ndeshjet e forta, sepse futbollistët i kam të tillë, të cilët janë rritur në vështirësi dhe në sfida tregohet karakteri i futbollistit. Më gëzon fakti se ata po tregojnë karakter në ndeshjet e forta dhe po shprehin aftësi, personalitet dhe vlerat që kanë pikërisht në ndeshje të tilla”, ka potencuar Nuhiu. 

Për ndeshjen e nesërme do të jetë të gatshëm të gjithë futbollistët. Ndeshja zhvillohet të mërkurën në Stadiumin Ndihmës (te rrethi).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat