Mediumi malazez për Kosovën: Malazezët i “vënë zjarrin” Ballkanit evropian!

Futboll

Mediumi malazez për Kosovën: Malazezët i “vënë zjarrin” Ballkanit evropian!

Nga: Kemajl Goca Më: 26 gusht 2022 Në ora: 22:04
Ballkani

Suksesi i Ballkanit të Therandës, kampionit të Kosovës, po bën jehonë në Kontinentin e Vjetër!

Mediumi malazez “Vijesti” i kushton një shkrim të gjatë Ballkanit.

“Klubi nga Theranda arriti një sukses spektakolar, në të cilin rol të rëndësishëm luajtën futbollistët malazezë Edvin Kuç dhe Damir Ljuljanoviç, aktorë të drejtpërdrejtë të senzacionit dhe në të cilin do të luajë edhe Dejan Zarubica në fazën e grupeve dhe ndeshjet me Slavia Pragë, Sivaspor dhe Cluj.

Conference League – është një garë që UEFA e themeloi për t'u dhënë rast edhe klubeve të vogla nga vendet e vogla për t'u paraqitur në garën më të madhe.

Në edicionin hapës, sezonin e kaluar, rastin e rrëmbeu Lincoln Red Imps nga Gjibraltari, në të dytin Ballkani nga Kosova.
Ballkani ka arritur një rezultat historik me fitore të dyfishtë në raundin play-off ndaj Shkupit të Maqedonisë, 2:1 në Shkup, 1:0 mbrëmë në Prishtinë”,
shkruan mediumi malazez.

“Nuk e prisnim që kur filluam aventurën tonë evropiane që të arrinim deri këtu. Por ia dolëm, u shpërblyem për punën dhe mundin tonë, për përkushtimin tonë dhe për atë që besuam”, thotë portieri 30-vjeçar Ljuljanoviç për “TV Vijesti”.

Rrugëtimi i Ballkanit, i cili sezonin e kaluar ishte kampion i Kosovës për herë të parë, filloi me eliminimin nga Zhalgiris në Champions League, por ato ndeshje treguan se ka mundësi në Conference League, thotë kapiteni i skuadrës, 28-vjeçari, Edvin Kuç.

 “E pamë që kemi cilësi edhe pse kemi rënë nga Zhalgiris, për fat të keq. Menjëherë “u kthyem” në Conference League sepse kishim një mundësi dhe e dinim që kishim cilësinë për të luftuar deri në fund. Kemi bërë një gjë të pabesueshme, as që jemi të vetëdijshëm se çfarë suksesi është ky”, thekson Kuç.

Kuç dhe Ljuljanoviç theksojnë se një nga sekretet e suksesit të Ballkanit, përveç cilësisë dhe punës së mirë profesionale të trajnerit Ilir Daja, i cili luajti dy herë me Skënderbeun në fazën e grupeve të Europa League, është se nuk nënvlerësoi asnjë kundërshtar...

“Ne ishim pak me fat në short, por një nga cilësitë tona vendimtare në rrugën drejt fazës së grupeve ishte se nuk nënvlerësuam askënd, madje as ekipin e San Marinos. Unë gjithashtu mendoj se Liga e Kosovës është e nënvlerësuar, pa asnjë arsye, është shumë më cilësore se sa mendoni. Shpresoj që pas kualifikimit tonë në Conference League, edhe opinioni do të ndryshojë”, ka thënë Kuç.

Kuç, ish-lojtar i Deçiqit, OFK Titogradit dhe Rudarit, është pjesë e klubit therandas që nga janari i vitit 2019, si kapiten ngriti kupën e kampionit të Kosovës dhe tani festoi një sukses historik evropian.

“Kam besuar në ambicien e klubit, në projektin që më është prezantuar. Gjithçka po shkon sipas planit. Jam shumë i lumtur këtu, mendoj se është gjë e madhe që si i huaj jam kapiten i një skuadre që shkroi historinë e futbollit në një vend”, thekson Kuç.

Roli i Damir Ljuljanoviqit në suksesin e Ballkanit ishte i madh - ai priti dy penallti në raundin e tretë kualifikues kundër Klaksvik.
 “Ishte e mrekullueshme pas asaj ndeshje, është një ndjenjë e veçantë për një portier. Por unë nuk jam përgjegjës për atë fitore, ashtu si një lojtar nuk është përgjegjës për suksesin e ekipit. Ky është suksesi i të gjithë neve – lojtarëve, klubit, stafit trajnerëve, tifozëve...”,
thekson Ljuljanoviq.

“Presidenti i klubit ka ambicie, investon para, ne kemi një ekip të mirë, një trajner të shkëlqyer. Ballkani ishte kampion i Kosovës për herë të parë, doli për herë të parë në garën evropiane dhe arriti në fazën e grupeve. Kjo thotë diçka”, thonë njëzëri Kuç dhe Ljuljanoviq, me shpresën se klubet malazeze, duke ndjekur shembuj të tillë, në periudhën e ardhshme do të bëjnë një depërtim në garën evropiane, sepse Ballkani ka treguar se gjithçka është e mundur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat