Arbitri i parë i FIFA-s që tregon hapur orientimin seksual

Futboll

Arbitri i parë i FIFA-s që tregon hapur orientimin seksual

Më: 9 korrik 2022 Në ora: 15:56
Igor Benevenuto

Gjyqtari brazilian Igor Benevenuto e deklaroi publikisht veten homoseksual,  duke u bërë arbitri i parë ndërkombëtar i FIFA-s që shpreh orientimin e tij seksual, njoftoi ai në një podcast të publikuar këtë të premte.

"Futbolli ishte një gjë 'burrërore' dhe që herët e dija që isha homoseksual. Nuk kishte vend më të përsosur për të fshehur seksualitetin tim. Të luaja nuk ishte një opsion i qëndrueshëm, kështu që unë shkova në rrugën e vetme të mundshme: u bëra arbiter,"- zbuloi Benevenuto në podcast 'In the Locker Rooms', nga grupi Globo.

I lindur në shtetin e Minas Gerais dhe i rritur në një familje fetare, Benevenuto është 41 vjeç dhe ka kaluar 23 vjet si gjyqtar në fushë. Ai bën pjesë në elitën e arbitrave brazilianë, duke qenë një nga përfaqësuesit e vendit të tij në tabelën e arbitrave të FIFA-s.

“Jetoja i izoluar, një fëmijë i trishtuar, me një vrimë në zemër”,- tha ai, duke kujtuar fëmijërinë e tij në të cilën, siç rrëfeu, luante rolin e “heteroseksualit”, si një kusht “i detyrueshëm” për të qenë një “djalë futbolli”.

Ai u trajnua si arbitër në vitin 1998, me mbështetjen financiare të nënës së tij. "Të qenurit gjyqtar më vendos në një pozicion fuqie që më duhej. A e zgjodha atë për të fshehur seksualitetin tim? Po. Por është më shumë se kaq. E pozicionova veten si ‘pronari’ i lojës, lloji i autoritetit dhe kjo automatikisht i referohet një figure plot forcë, plot maskulinitet”,- shpjegoi ai.

Benevenuto theksoi se ka "shumë" homoseksualë në botën e futbollit, por se "99.99% heshtin". “Ka gjyqtarë, lojtarë, trajnerë, të martuar, me fëmijë, të ndarë, me jetë të dyfishtë... Ka gjithçka (...) Ne ekzistojmë dhe meritojmë të drejtën të flasim për këtë, të jetojmë normalisht”,- deklaroi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat