Krasniqi e Aliaj: Ndeshje të vështira, ta nisim mbarë

Futboll

Krasniqi e Aliaj: Ndeshje të vështira, ta nisim mbarë

Më: 1 maj 2022 Në ora: 15:25
Krasniqi e Aliaj: Ndeshje të vështira, ta nisim mbarë

Kombëtarja shqiptare për femra U-16 ka nisur prej dy ditësh përgatitjet për turneun “UEFA Development”, që do të luhet në vendin tonë në datat 3-8 maj e që ka si synim zhvillimin e mëtejshëm të futbollit të moshave.

Vajzat kuqezi, nën drejtimin e Agustin Kolës do të tentojnë të “kopjojnë” suksesin e dy viteve më parë, teksa tashmë Kola ka një skuadër totalisht të formatuar e të re.

FSHF.org ka ndjekur nga afër stërvitjet e skuadrës, ndërsa ka intervistuar edhe dy lojtare, Halime Krasniqin, portiere e KFF Shqiponja – Malishevë dhe Juarda Aliaj, futbolliste e ekipit të moshave të Vllaznisë.

Të dy talentet e reja nuk i fshehin emocionet e grumbullimit me ekipin kombëtar, duke shpresuar se do të vazhdojnë të jenë pjesë e grumbullimeve të radhës.

Krasniqi, e cila ka lënë Kosovën për Shqipërinë thotë: “Unë jam Halime Krasniqi, vij nga Malisheva dhe luaj për Shqiponjat – Malishevë. Jam shumë krenare që jam grumbulluar për herë të parë me Kombëtaren e Shqipërisë. Shpresoj se do ta nisim me këmbën e mbarë, pasi kemi ndeshje të vështira, ku njëra prej tyre do të jetë ndaj Kosovës, vendlindjes time. Do të jetë ndeshja më emocionuese për mua. Shpresoj që do dalim mirë dhe pse jo, të dalim në krye të grupit” – thotë Krasniqi për fshf.org

Ndërkaq, futbollistja e Vllaznisë së moshave shprehet kështu: “Jam Juarda Aliaj, luaj me ekipin e Vllaznisë, me moshat U-16. Me Kombëtaren U-16 kam qenë edhe njëherë tjetër, nuk është hera ime e parë dhe shpresoj që në këto tre ndeshje të dalim sa më mirë. Ëndrra ime është që një ditë të jem pjesë e Kombëtares A”, – thotë Juarda Aliaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat