Ka ndërprerë kontratën me klubin portugez

Futboll

Ka ndërprerë kontratën me klubin portugez

Më: 8 janar 2022 Në ora: 12:45
De Silva

Devid de Silva prish kontratën në Portugali dhe është gati për të firmosur me Tiranën. Ka qenë dje faqja e internetit “jornaldofundao” që ka konfirmuar mbylljen e marrëveshjes mes brazilianit dhe ekipit portugez.

“Devid Silva, sulmuesi 25-vjeçar, nuk është stërvitur nën drejtimin e Leonel Pontes, pasi ka ndërprerë marrëdhënien e tij me klubin nga Serrano. Lojtari brazilian mbërriti te Sporting da Covilha në fillim të sezonit, i ardhur nga Kastrioti i Shqipërisë, gjatë të cilit luajti 14 ndeshje dhe shënoi një gol.

Devid është lojtari i katërt që largohet nga skuadra e Serranos, e cila ishte pa mesfushorin Frank Angong, anësorin Diego Medeiros dhe mbrojtësin Joel Vital, i cili përfundoi karrierën e tij në fund të nëntorit”, shkruante media portugeze.

Një largim që është sinjali kryesor që De Silva do të firmosë në Tiranë. Devid de Silva ka shumë mundësi të veshë fanellën e Tiranës.

Ish-lojtari i Kastriotit që këtë sezon po luan në Portugali, pëlqehet shumë nga bardheblutë dhe nuk përjashtohet mundësia që Tirana të blejë kartonin e futbollistit, i cili një sezon më parë tregoi veten në Superiore.

Braziliani është një sulmues cilësor dhe mund të bëjë shumë mirë për repartin e avancuar. Gjithsesi, deri tani nuk është thënë fjala e fundit.

De Silva deri dje luante te Sporting Covilha në Portugali. Gjatë këtij sezoni, sulmuesi ka qenë në fushën e lojës tri ndeshje në Kupë dhe 200 minuta, ndërsa në kampionat është aktivizuar 11 takime dhe 293 minuta, por duke mos shënuar asnjë gol.

Paraqitja e tij para porte është në kontrast me paraqitjet e sezonit të shkuar.

Devid de Silva ishte zbulimi i sezonit të shkuar të Superiores. Sulmuesi brazilian i Kastriotit erdhi si “anonim” në Superiore, por falë punës së bërë nga ai, e tregoi veten.

De Silva shënoi 10 gola në Superiore, duke qenë në fushë 29 ndeshje dhe luajtur 2413 minuta. Tirana e kërkon De Silvën për të zëvendësuar Majkëll Ngonë e dëmtuar. Braziliani është shumë i fortë, si në lojën në tokë dhe në ajër..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat