Van De Beek entuziast në stërvitje

Futboll

Van De Beek entuziast në stërvitje

Më: 27 korrik 2021 Në ora: 12:00
Van De Beek entuziast në stërvitje

Donny Van De Beek ishte blerja e bujshme e verës së kaluar për Manchester United, që shpenzoi plot 45 milionë euro për kartonin e tij, megjithatë fantazisti holandezi vuajti jo pak përshtatjen në kampionatin anglez, pasi luajti vetëm 4 ndeshje si titullar.

I mbetur shpesh në tribunë, apo i harruar në pankinë, Van De Beek mori në konsideratë largimin nga “Old Trafford”, megjithatë së fundi mesfushori është rikthyer të stërvitet nën urdhrat e Solskjaer, pasi dëshiron të provojë edhe njëherë të bindë trajnerin norvegjez për një vend në formacion.

Fantazisti u pa i lumtur duke biseduar me trajnerin e “djajve të kuq’, ndërsa burime pranë klubit bëjnë me dije se këtë herë holandezi duket shumë më i motivuar dhe i bindur që do t’ia dalë të shndërrohet në një nga pikat kryesore të skuadrës.

Gjithsesi plani B u drejtuesve të Manchester United është që ta huazojnë Van De Beek në ditët e fundit të merkatos, nëse holandezi nuk do t’ia dalë të lërë gjurmë në javët e para të kampionatit.

Për Van De Beek kanë shfaqur interes klube të shumta, të cilat janë gati ta marrin në huazim, teksa në krye të listës janë Barcelona e Koeman, por edhe Ajaxi që është gati ta rikthejë për një tjetër sezon në Eredivisie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat