Projekti i 100 fushave, ja si mund ta ndryshojë futbollin

Futboll

Projekti i 100 fushave, ja si mund ta ndryshojë futbollin

Më: 21 maj 2021 Në ora: 11:55
Projekti i 100 fushave, ja si mund ta ndryshojë futbollin

Tirana e ditëve të sotme është një Tiranë e urbanizuar, ku çdo dite ngrihen pallate shumëkatëshe. Një Tiranë ku padyshim jetohet më mirë se 30 vite më parë, por dhe që ka humbur shumë nga qendrat sportive apo fushat kur dikur luanin dhe stërviteshin fëmijët, që në të ardhmen do të bëheshin yjet e futbollit shqiptar.

Më shumë se 20 qendra sportive, fusha futbolli dhe terrene të lojërave me dorë që ekzistonin në vitet ‘90 sot e kanë humbur destinacionin e tyre, duke i vjedhur fëmijëve dhe të rinjve mundësinë për t’u rritur duke vrapuar pas një topi, duke krijuar shoqëri nëpërmjet sportit por edhe një karrierë të mundshme.

“Ky është një nga ambientet më të afërt që ne kemi dhe mundohemi ta shfrytëzojmë në maksimum edhe pse lë për të dëshiruar. E mirë do të ishte që shteti të vinte dorë mbi këtë katrahurë që edhe fëmijët tanë të kishin mundësi të luanin dhe të dëfreheshin me sportin më të bukur në botë, futbolli”, – thotë Erlind Pano, një qytetar i Tiranës që flet për emisionin “Opinion” në fushën që njihet si aneksi i stadiumit “Selman Stërmasi” në kryeqytet.

Edhe ish-futbollisti i Dinamos, Erion Xhafa, ka shumë kujtime në këtë fushë, teksa flet për periudhën kur luante si fëmijë apo në hapat e tij të parë me futbollin në fushat e Tiranës. Ai bën apel që të merren masa për të shtuar terrenet sportive, që janë kaq shumë të domosdoshme për fëmijët.

“Kam luajtur shumë ndeshje këtu si kundërshtar, por jam stërvitur në një tjetër fushë siç është aneksi i ish-stadiumit ‘Qemal Stafa’, që për fat të keq nuk ekziston më sot si një fushë futbolli. Zgjidhjet e vetme sot janë marrja e ambienteve me qera nëpër fusha me bar artificial, që edhe fëmijët nuk i ndihmon shumë.

Duke qenë se është e vetmja mundësi është e keqja më e vogël nga një e keqe shumë e madhe, sepse ne përveçse jemi stërvitur nga këto lloj fushash jemi një brez që kemi dalë duke luajtur nëpër lulishte apo rrugë duke praktikuar futbollin, ku ishte pasioni jonë i derdhur në një fushë me bar që nuk kishte lidhje me terrene normale futbolli dhe këto i mungojnë brezit të sotëm.

Sinqerisht e shoh këtë fushë aktualisht pa asnjë mirëmbajtje dhe e pashfrytëzuar as për fëmijët e as për komunitetin, ndërkohë që do të ishte diçka perfekte në mes të Tiranës dhe mendoj që duhet vënë dorë sa më shpejt. Ajo që kemi nevojë akute për qytetin janë terrenet sportive për fëmijët, duke qenë se kemi kaq shumë fëmijë të interesuar për t’u marrë me sport dhe kaq pak terrene sportive”, – thotë ish-futbollisti i njohur.

Sulejman Demollari, një prej futbollistëve më të mirë të gjitha kohërave dhe i pari shqiptar që arriti të sigurojë një kontratë 250 mijë dollarëshe në vitin 1991 me Dinamon e Bukureshtit, ka kaluar fëmijërinë e tij pikërisht në një prej këtyre fushave që sot nuk ekziston më në zonën e lagjes që njihet si Tirana e re.

“Në gjithë këtë zonë dikur kishte fushë futbolli dhe dy fusha të vogla për basketbollin. Stërvitjen e kam nisur me ekipin e klasave sportive të ish-shkollës Alqi Kondi, që sot quhet Pjetër Budi. Në atë shkollë kanë hedhur hapat e parë nga klasat sportive shumë futbollistë, të cilët më pas u bënë të famshëm dhe arritën deri në ekipin kombëtar.

Mund të përmend emra si Petrit Dibra, të ndjerin Vasillaq Zërin, Arben Mingën, Astrit Ramadanin, Artur Lekbellon, Arjan Bimon, të cilët e kanë nisur futbollin pikërisht në këto klasa sportive. Janë mësimet e para që morëm në këto fusha dhe më kujtohet që ishin fusha jo shumë cilësore, por megjithatë kishim një dëshirë të madhe kur vinte ora e mësimit për të luajtur futbollin. Ndjej keqardhje që shumë fusha në qytetin tonë janë kthyer në godina e në beton. Nëse të rinjtë nuk merren me sport në një të ardhme mund të marrin rrugë të gabuara. Sporti gjithmonë të jep gjallëri, të jep jetë. Rreth 20 fusha që ka pasur Tirana me parametra të rregullta sot nuk ekzistojnë më”, – thotë Demollari për “Opinion”.

Të njëjtin mendim ndan edhe legjenda e Tiranës, Agustin Kola, i cili kujton hapat e tij të parë në futboll në fushën që dikur ndodhej ngjitur me Shkollën Teknologjike e ku sot janë ngritur disa pallate.

“Unë nuk jam kundër pallateve, nuk jam kundër kishave dhe xhamive, por prishja e fushave sportive nga viti 1990 e deri më sot, kjo është çmenduri. Ne jemi bërë sportistë pikërisht në këto fusha, por kemi pasur edhe fatin të punonim me trajnerë si Fatmir Frashëri, Haxhi Arbana, Ali Mema dhe nga duart e tyre kanë dalë lojtarë si Millan Baçi, Sulejman Mema, Arben Minga, Agustin Kola, pra plejada jonë ka dalë pikërisht në fushën që dikur ishte këtu, por edhe në fushat e tjera, që janë zhdukur”, – thotë Kola, i cili nuk i fsheh emocionet që ka teksa kujton të kaluarën.

“Po dridhem kur shoh këto pallate, në Tiranë ka pasur mbi 20 fusha futbolli që sot nuk ekzistojnë më. Fëmijët sot nuk kanë ku luajnë futboll apo sporte të tjera. Sportistë jemi bërë pikërisht në këto fusha. Aty kanë dalë atletët, basketbollistët, volejbollistët, futbollistët, sporti nis që nga moshat e vogla. Dakord, jo të gjithë do të bëhen sportistë profesionistë, por të paktën ikin nga rruga dhe nga veset e këqija. Nëpër lagje e kemi nisur të gjithë”, – shton Kola.

Sot në vendet e zhvilluara ka një fushë futbolli për çdo 1800 banorë. Për sa i përket Shqipërisë, jemi në nivelin e një fushe futbolli për 80 mijë banorë, dhe në raste ekstreme një fushë për 190 mijë banorë. Shifra të qarta këto që tregojmë se gjendemi në një situatë ku e ardhmja e fëmijëve në botën e futbollit është në rrezik dhe kërkohet investim i rëndësishëm.

Armand Duka, Presidenti i FSHF-së tregon se nga dhjetëra qendra sportive ekzistuese në vitet ‘90, jemi reduktuar në vetëm 3.

“Në vitet ‘90-të, në qendrat sportive u ndërtuan pallate dhe kjo shkatërroi të gjithë ato qendra që kishte Tirana. Pa dyshim që ishin në vende të mira, të cilat mund të prodhonin biznese dhe kjo është një gjë që ndodh. Unë mendoj se nuk duhet ta qajmë atë që ndodhi, por duhet të mendojmë se çfarë duhet të bëjmë për të ardhmen, jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë qytetet e Shqipërisë, të gjejmë disa sipërfaqe të lira për të rindërtuar fusha futbolli apo infrastruktura të tjera sportive”, – thotë Presidenti Duka për “Opinon”.

Prandaj lindi nevoja e marrjes së një iniciative për të ndërtuar 100 fusha futbolli në të gjithë Shqipërinë. Të gjitha në dispozicion të fëmijëve dhe të rinjve që duan të luajnë dhe të stërviten në kohën e tyre të lirë.

“Ne e kemi konsideruar projektin e 100 fushave, projekt i cili konsiston në ndërtimin e fushave të reja dhe ku mund të aplikojnë pa kufizim kushdo individ, pushtet vendor, klub futbolli, çfarëdo që të jetë, mjafton që të ketë një sipërfaqe toke dhe ne do të bashkëfinancojmë në ndërtimin e këtyre fushave. Është një iniciativë që ka kohë që e kemi marrë, kemi filluar implementimin e saj. Nuk kemi një bashkërendim me qeverinë apo pushtetet vendore se ku, dhe t’i kemi përcaktuar vendet. Nëse do kishim një vullnet të mirë dhe një bashkërendim të saj, projekti do të realizohej në kohë dhe do të ishte akoma më i suksesshëm.

Sa më shumë fusha aq më mirë, por duke llogaritur që sot në Tiranë luajnë futboll rreth 8000 fëmijë, përveç klubeve profesioniste, atëherë do të kishim të nevojshme më shumë se 100 fusha vetëm për Tiranën. Por në kushtet e sotme, nëse do të realizohet të ndërtohen në Tiranë 30 deri në 40 fusha, do të ishte mjaftueshëm. Është e vështirë të gjesh sipërfaqe brenda Unazës së Tiranës për 30 apo 40 fusha, por aq sa mund të gjenden, fusha që mund t’i shërbejnë fëmijëve, t’i shërbejnë nivelit amator dhe jo futbollit të klubeve, ndërsa pjesa tjetër mund të ndërtohet në periferi të Tiranës. Gjithsesi, duhet një lloj përqafimi i këtij projekti edhe nga pushtetet vendore dhe i qeverisë, që vërtetë ta kemi objektiv për të gjetur këto sipërfaqe”, – vijon presidenti i FSHF-së, teksa beson se me vullnetin e duhur mund të ketë një bashkëpunim të vlefshëm për qeverinë në këtë projekt.

“Nuk është se qeveria e ka kundërshtuar projektin, por gjithsesi, nuk e ka marrë aq seriozisht që të ulet bashkë me Federatën e Futbollit dhe të bëjë të mundur realizimin sa më shpejt të tij. Nuk është vetëm çështje financiare, nuk është vetëm fakti sa do ta mbështesë me financa qeveria, sepse i gjithë projekti mund të kushtojë nga 20 deri në 25 milionë euro, gjë që nuk është një shifër kaq shumë e rëndësishme për buxhetin e shtetit apo për një buxhet të përbashkët që mund të krijojmë ne, duke thithur donacione edhe nga UEFA apo FIFA. E rëndësishme është të kemi vullnetin për ta bërë dhe të na mbështesin me vullnet”.

Projekti i 100 fushave është një iniciativë që do të kushtojë rreth 22 milion euro, dhe përfshin ndërtimin e tyre me përmasat e një fushe futbolli të rrethuar, të pajisur me dhoma zhveshje dhe të shtuar me bar natyral.

“Ka filluar si projekt, në 2-3 iniciativa private, që ne i kemi mbështetur. Ideja jonë fillestare e financimit ka qenë që ne të ishim partnerë në 3 pjesë të barabarta, Federata e Futbollit, qeveria shqiptare dhe aplikanti, që mund të jetë një person fizik, klub apo njësi vendore. Por duke qenë se qeveria ende nuk e ka mbështetur financiarisht hapur këtë, ne do ta mbështesim me 50% të financimeve nga Federata e Futbollit. Si do ta ndryshojë futbollin ky projekt? Padyshim që me më shumë fusha, do kemi më shumë mundësi për t’u stërvitur, do kemi më shumë numër fëmijësh që do afrohen për të luajtur futboll dhe nga masiviteti, do të dalin edhe kualitete, do të kultivohen më shumë talente, të cilët do të bëhen profesionistë të mirë”, – deklaroi Presidenti i FSHF-së, Armand Duka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat