Teuta nuk fal ndaj Skënderbeut

Futboll

Teuta nuk fal ndaj Skënderbeut

Më: 12 shkurt 2021 Në ora: 19:16
Teuta nuk fal ndaj Skënderbeut dhe ngjitet në vendin e dytë

Stadiumi “Niko Dovana” nuk është më një “mallkim” për Teutën, që fiton ndeshjen e dytë radhazi në shtëpi, këtë herë ndaj Skënderbeut me rezultatin 2-0 dhe ngjitet përkohësisht në vendin e dytë me 33 pikë, vetëm 4 më pak se Vllaznia kryesuese.

Durrsakët e nisën vrullshëm ndeshjen dhe zhvendosën lojën në gjysmëfushën e korçarëve, por pa arritur të shkojnë rrezikshëm te porta e Dajsinanit, pasi Migen Memelli i kishte rreshtuar mirë të tijtë në prapavijë.

Megjithatë goli erdhi në minutën e 32-të, teksa pas një depërtimi në zonë, bregu tërhoqi shumë kundërshtarë pranë vetes dhe shërbeu saktë për Vilën në zonë, i cili e pati të lehtë të shtyjë topin në rrjetë me portën e boshatisur.

Pas pësimit të golit “ujqërit nisën të dalin nga strofka” dhe të shohin më shpesh nga gjysmëfusha, teksa veçanërisht në fillim të pjesës së dytë i shkuan pranë golit të barazimit, por Teuta ia hodhi paq në dy momente.

Nga ana tjetër durrsakët lëshuan shumë dhe vendosën t’i besojnë kundërsulmit, teksa i shkuan pranë edhe golit të dytë, por pa arritur të tregohen të saktë në mundësitë e krijuara në zonën e Dajsinanit, i cili tregoi edhe aftësitë e tij në një grushtim spektakolar, pas një gjuajtjeje fluturimthi të Bregut.

Në sekondat e fundit të ndeshjes, mbrojtësi i Skënderbeut, Bajrami bëri një faull mbi vijën e zonës dhe mori kartonin e dytë të verdhë, duke lënë fushën e lojës, ndërsa goditjen e dënimit e mori përsipër Karabeci, i cili shënoi një gol spektakolar, duke vulosur kështu suksesin e durrsakëve.

Teuta merr kështu fitoren e dytë radhazi dhe provon të rihyjë në garë për titullin kampion, ndërsa Skënderbeu pëson humbjen e radhës dhe komplikon gjithmonë e më shumë mbijetesën, pasi mbetet në vendin e fundit me 12 pikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat