Vasseur sqaron objektivat

Formula 1

Vasseur sqaron objektivat

Më: 24 gusht 2023 Në ora: 14:47
Pamje nga një garë

Formula 1 rikthehet në pistë këtë fundjavë, në pistën e Zandvoort, Holandë.

Drejtori sportiv i Ferrari, Frederic Vasseur, shprehet se “kokëkuqja” do të jetë më kompetitive në pjesën e dytë të sezonit.

Ai sqaron se objektivi kryesor do të jetë sezoni i ardhshëm edhe pse objektivat e Ferrari janë afat-mesëm, pra pas dy vitesh.

“E ardhmja e pilotëve tanë do të sqarohet shumë shpejt.

Ne po mendojmë për të ardhmen në shumë drejtime, atë që ndodh në pistë e jashtë saj.

Rezultatet e deritanishme nuk kanë qenë ato që prisnim, ka patur shumë luhatje në pjesën e parë të kampionatit.

Po punojmë për të gjetur ato dy të dhjetat që na mungojnë në garë”, tha Vasseur.

“Kemi nisur një fushatë ndryshimesh në skuadër dhe mjaft persona janë larguar e të tjerë janë afruar dhe do të afrohen.

Ky është një proces i gjatë dhe që pritet të sjellë rezultate pas një apo dy vitesh.

E sqaroj, për të parë rezultatet e këtyre ndryshimeve duhet të presim dy apo tri vite.

Duhet të përmirësohemi, e dimë mirë këtë gjë dhe stafi duhet të ketë besim te forcat e tij”, u shpreh Vasseur.

“Jemi në grupin e makinave që ndjekim Red Bull. Në disa raste kemi dueluar me ta në kualifikuese, por në garë ka qenë e pamundur.

Ne, Mercedes, Aston Martin dhe McLaren mund të duelojmë për vijën e parë të nisjes, por është e gabuar të bësh parashikime. Në pjesën e parë të sezonit lamë rrugës mjaft pikë dhe mundësi të mira, ndaj duhet të rikuperojmë”, tha francezi i Ferrari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat