Verstappen i magjishëm edhe në shi

Formula 1

Verstappen i magjishëm edhe në shi

Më: 18 qershor 2023 Në ora: 00:03
Max Verstappen me makinë

Piloti holandez Max Verstappen siguroi mbrëmjen e sotme “pole position” në pistën e Montreal, ku të dielën do të zhvillohet gara e Çmimit të Madh të Kanadasë në Formula 1.

Në një pistë të lagur, për shkak të shiut që ra gjatë gjithë kohës që zgjatën provat zyrtare, kampioni i botës dha kohën 1’25”858 me Red Bull, duke qenë i magjishëm në pistë edhe në kushte të vështira.

Pista e lagur dhe kushtet e saj që ndryshonin herë pas here, nga njëri sesion në tjetrin, bënë që rezultatet e provave zyrtare të jenë befasuese. I dyti u rendit gjermani Nico Hulkenberg me Haas, ndërsa në vendin e tretë u klasifikua Fernando Alonso me Aston Martin. Në vendet 4-5 u renditën dy makinat Mercedes, me Lewis Hamilton e George Russell.

Vijon të zhgënjejë Ferrari, që nuk arrin dot të renditet mes skuadrave më të mira. Charles Leclerc nuk arrin dot të kalojë sesionin e dytë, duke e nisur garën nga vendi i 11-të.

Dobët doli edhe meksikani Sergio perez me makinën tjetër Red Bull, që do ta nisë garën nga vendi i 12-të. Në “top-10” u renditën Ocon, Norris, Sainz, Piastri dhe Albon. Parashikimet për nesër flasin për një garë në pistë të thatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat