Policia antiterrorizëm përfshihet në hetimin e një helmimi të dyshuar në Angli

Evropë

Policia antiterrorizëm përfshihet në hetimin e një helmimi të dyshuar në Angli

Më: 4 korrik 2018 Në ora: 15:24
Policia britanike

Policia britanike tha se oficerët antiterrorizëm janë përfshirë në hetimin e një incidenti në jugperëndim të Anglisë, i cili la dy persona në gjendje kritike.

Një burrë dhe një grua, në të 40-tat e tyre, janë në gjendje të rëndë pasi i janë ekspozuar një substance të panjohur.

Çifti është gjetur pa vetëdije të martën në Ejmsbëri.

Ky qytet ndodhet më pak se 20 kilometra larg vendit ku një ish-spiun rus dhe vajza e tij janë helmuar në muajin mars.

"Marrë parasysh ngjarjet në Sallsbëri, oficerët antiterrorizëm po punojnë me kolegët e tyre rreth incidentit në Ejmsbëri", tha përmes një deklarate Policia Metropolitane.

Helmimi i ish-spiunit rus, Sergei Skripal, dhe vajzës së tij, Yulia, në mars, ka shkaktuar krizë diplomatike midis Moskës dhe Perëndimit.

Britania ka akuzuar qeverinë e presidentit rus, Vladimir Putin, për përpjekje për t'i vrarë Skripalët me substancën kimike Noviçok.

Moska e ka mohuar përfshirjen në këtë rast.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat