Koment: SPD - Vdekja e tetos plakë? - Bota Sot
Koment: SPD - Vdekja e tetos plakë?

Evropë

E enjte, 20 shtator 2018

Koment: SPD - Vdekja e tetos plakë?

Më: 22 shkurt 2018 Në ora: 08:46
SPD

Anketimet në Gjermani e nxjerrin Partinë Socialdemokrate pas Alaternativës për Gjermaninë. Mos është ky fundi i Partisë së madhe SPD? Sistemi partiak gjerman po pëson ndryshime dramatike, mendon Felix Steiner.

"Alte Tante" (tetoja plakë) kështu e quajnë me dashuri prej shumë dekadash gazetarët dhe anëtarët e partisë socialdemokracinë gjermane. Por kjo nofkë nuk i ka shkuar kurrë aq mirë sa sot. Tetot plaka janë të lezetshme, kanë shumë gjëra për të rrëfyer nga e kaluara, i ke për ndonjë sherry apo ndonjë copë keku të bërë vetë me mollë, por për ndonjë gjë tjetër? Askush nuk  i merr aq seriozisht, sepse janë ca demode. Dhe veç kur vjen një ditë e ato nuk janë më.

Traditat dhe meritat historike nuk janë kategori në biznesin politik. Një parti dhe kandidatët e saj do të zgjidhen, sepse në të ardhmen pritet diçka prej tyre. Sepse ofrojnë synime të qarta dhe drejtim. Dhe edhe sepse ata i kuptojnë problemet dhe hallet e zgjedhësve të tyre. Por të gjitha këto aftësi SPD-së ka vite që i mungojnë.

Kur injoron hallet e votuesve

Sipas të gjitha sondazheve, tema e migracionit dhe e refugjatëve është tema që i shqetëson më së shumti gjermanët. Klientela klasike e SPD-së, e cila nuk hyn te më të kamurit e vendit, është në hall për banesa të pagueshme të cilat nëpër qytete thuajse nuk ekzistojnë. E ç'bën partia?

Partia e vë bashkimin famljar të refugjatëve si temën kryesore të negociatave për koalicion! Dhe kështu del në pah se përse perëndimi i SPD-së vjen në të njëjtën kohë me ngritjen e AfD-së së djathtë - dhe shpesh në ato zona elektorale, në të cilat SPD-ja dikur kishte qenë vërtet e fuqishme. Kjo nuk duhet të mbetet gjithmonë kështu.

Që sondazhe të tilla që bëhen çdo javë reflektojnë atmosferën aktuale  - më mirë se SPD-ja këtë nuk e di askush? Vetëm para një viti entuziazmi për gjysme magjistarin Martin Schulz ishte i jashtëzakonshëm..

Por një gjë është e qartë: zgjedhje të reja në këtë moment do të ishin katastrofale për SPD-në. Këtë duhet ta kenë të qartë edhe ata që nuk e mbështesin koalicionin me CDU-në dhe bëjnë thirrje të votohet kundër tij duke besuar se ripërtëritja e partisë mund të bëhet vetëm në opozitë. Kjo nuk ka kuptim fare. Unioni Demokristian po e demonstron këtë më së miri. Asnjë anëtar i kësaj partie nuk është i gatshëm të heqë dorë nga qeverisja, megjithëse edhe aty shumëkush e ka kuptuar se kursi i Angela Merkelit nuk siguron më shumica të mjaftueshme.

Mundësia e ripërtëritjes në qeveri

Por emërimi i Annegret Kramp-Karrenbauerit si Sekretare e Përgjithshme tregon edhe diçka: Kjo pasardhëse e mundshme e Angela Merkelit sigurisht që nuk do të sjellë një kurs komplet të ri. Por pritet që ajo t'u mëshojë më shumë disa aspekteve konservatore, të cilat Unionit Demokristian i kanë munguar me Angela Merkelin.

Në këtë moment nga zgjedhjet e reja do të përfitonte vetëm partia djathtiste, Alternativë për Gjermaninë, e cila sipas kreut të saj nuk dëshiron të qeverisë. Dhe pikërisht këtu qendron drama e sondazhit aktual. Partia Socialdemokrate humb shumë pikë, Unioni Demokristian e Kristiansocial nuk fiton, votat e tyre së bashku nuk do të mjaftonin as për një koalicion. Dëgjohet si ironi fati. Një vend kaq i pasur, me mirëqenie dhe lulëzim ekonomik, nuk është në gjendje të gjejë një shumicë parlamentare për të krijuar qeveri.

Vetëvrasje nga frika e vdekjes

Prandaj, nëse anëtarët e SPD-së do të votojnë kundër koalicionit, do të ishte sikur do të bënin një vetëvrasje nga frika se mos vdesin. Prandaj. të dashur shoqe dhe shokë: Merrni guxim dhe kini besim te vetja! Bashkëqeverisni dhe tregoni se ç'jeni në gjendje të bëni. Dhe qëndroni pas sukseseve tuaja - sepse ashtu do t'ju shpërblejnë sërish edhe zgjedhësit.

Partia Socialdemokrate e ka bërë njëherë një gabim të rëndë, në vitin 1990, kur anëtarët e saj nuk donin të pranonin në gjirin e tyre ish-anëtarë të partisë shtetërore të RDJ-së, SED. Këtë gabim ata po e vuajnë edhe sot e kësaj dite, në formën e ekzistencës së partisë rivale E Majta, që ka pas më shumë se 10 përqind të elektoratit. Një gabim të përmasave të ngjashme partia nuk do ta përballonte dot. Dhe kjo do të ishte atëherë me të vërtetë vdekja e tetos plakë, SPD./DW

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test