Rusia e ka hedhur poshtë deklaratën e fundit të Shteteve të Bashkuara për Sirinë, duke thënë se forca e saj ajrore do të vazhdoj ta mbështes ushtrinë e qeverisë së Sirisë.
Zëdhënës i Departamentit amerikan të shtetit, John Kirby, tha mbrëmë se Uashingtoni përgatitet për “pezullimin e angazhimit bilateral SHBA – Rusi për Sirinë, derisa Rusia nuk ndërmerr hapa të menjëhershëm për ndaljen e sulmit në Alepo”.
Kirby tha, po ashtu, se Rusia ka interes në ndaljen e dhunës në Siri, pasi ekstremistët mund ta shfrytëzojnë vakumin atje, për të lansuar sulme kundër “interesave të Rusisë, bile edhe në qytetet e Rusisë”.
Duke i përshkruar komentet si “problematike”, zëdhënësi i presidencës së Rusisë, Dmitry Peskov, tha sot se “lufta kundër terrorit” në Siri do të vazhdoj.
Ai, po ashtu, tha se Moska mbetet e interesuar për bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara në përpjekje për zgjidhjen e krizës së Sirisë.
Më herët, zëvendës-ministri i jashtëm rus, Sergei Ryabkov, komentet e zëdhënësit Kirby, i ka vlerësuar si “shpërthim emocional” dhe tha se Rusia i sheh ato si ekvivalente me mbështetjen e terrorizmit.
Ryabkov, po ashtu, e ka hedhur poshtë kërkesën e Uashingtonit për një pauzë shtatëditëshe në ofensivën e Alepos, duke thënë se është e “papranueshme”, meqë militantëve do tu mundësonte kohë për rigrupim.
Ai tha se Moska ka propozuar armëpushim prej 48 orësh për qëllime humanitare.