Trump: “Franca po digjet! Mbyllni kufijtë!”

Evropë

Trump: “Franca po digjet! Mbyllni kufijtë!”

Nga: bota sot Më: 18 tetor 2026 Në ora: 17:30
Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ndaj trazirave në Francë, duke fajësuar emigracionin dhe duke kërkuar mbylljen e kufijve. Fotoilustrim.

Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ndaj trazirave të dhunshme që kanë përfshirë Francën, duke fajësuar emigracionin dhe duke u bërë thirrje autoriteteve franceze të mbyllin kufijtë.

Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump ka përdorur një gjuhë të ashpër për të përshkruar gjendjen në Francë.

“Franca po digjet! Emigrimi i njerëzve nga një botë krejtësisht tjetër, njerëzve me urrejtje në zemrat e tyre, e ka shkatërruar këtë vend dikur madhështor. Mbyllni kufijtë dhe merrni kontrollin, përpara se të jetë tepër vonë!”, ka shkruar Trump.

Deklarata e tij vjen pas protestave masive të së shtunës, më 17 tetor, të cilat në disa qytete franceze u shoqëruan me përleshje ndërmjet grupeve të dhunshme dhe policisë, zjarre, plaçkitje dhe dëmtime të ndërtesave publike.

Sipas të dhënave të publikuara të dielën nga autoritetet franceze, rreth 1.800 persona janë arrestuar në gjithë vendin. Vetëm në rajonin e Parisit janë raportuar 855 arrestime.

Protestat janë nxitur nga pakënaqësitë për rritjen e kostos së jetesës, gjendjen në arsim dhe shërbimet publike. Në demonstrata kanë marrë pjesë studentë, sindikata dhe grupe të ndryshme shoqërore.

Një ndër incidentet më të rënda është regjistruar në qytetin Limoges, ku ndërtesa historike e bashkisë është dëmtuar rëndë nga zjarri. Përleshje dhe dëme materiale janë raportuar edhe në Paris, Marsejë, Lion dhe qytete të tjera.

Përpara reagimit të Trumpit, edhe zëvendëspresidenti amerikan JD Vance e kishte lidhur dhunën në Francë me politikat e emigracionit, duke kritikuar drejtuesit politikë perëndimorë.

Megjithatë, pretendimet e drejtuesve amerikanë për përgjegjësinë e emigracionit nuk janë vërtetuar nga hetimet e autoriteteve franceze. Zyrtarët në Francë kanë përmendur grupe të dhunshme, elemente radikale dhe persona të përfshirë në plaçkitje si përgjegjës për incidentet.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka dënuar dhunën, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për identifikimin dhe ndjekjen penale të personave përgjegjës.

Trazirat kanë shtuar presionin mbi qeverinë franceze, në një periudhë të tensionuar politike dhe sociale për vendin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat